Athinë, 28 maj – Për mbrojtje nga Kovid-19 në Qendrat e refugjatëve dhe emigrantëve në ishujt grek dhe për të përmirësuar kushtet e jetës së fëmijëve refugjatë të pashoqëruar në Greqi, do të shfrytëzohet, në bashkëpunim me UNHCR- Greqi dhe IOM, ndihmë amerikane prej 2,9 milion dollarë, kumtuan nga Ministria e Migracionit dhe Azilit të Greqisë, pas takimit mes ministrit kompetent dhe ambasadorit të SHBA-s në Athinë.
Për ndihmë financiare në menaxhimin me sfidën e dyfishtë, të kombinuar: çështja e migracionit dhe pandemia, ministri alternativ i migracionit dhe azilit të Greqisë, Jorgos Kumucakos, u takua sot me ambasadorin amerikan Xhefri Pajat, ku morën pjesë edhe shefat e UNHCR-së dhe IOM-it në Greqi, Filipe dhe Xhanluka Roko.
Pas takimit, Kumucakos theksoi se të dy vendet do të bëjnë gjithçka që të jetë e mundur për të siguruar që çështja e migracionit të mos bëhet burim dhe mjet i paqëndrueshmërisë në rajon, duke shtuar se është ndërmarrë një hap tjetër konkret sot “duke konfirmuar marrëdhëniet e ngushta të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes dy vendeve”.
Ambasadori amerikan në Athinë, Xhefri Pajat tha që shfrytëzoi rastin për të uruar Kumucakos për progresin e Greqisë në zhvendosjen e fëmijëve refugjatë të pashoqëruar, por gjithashtu pranoi që SHBA dhe partnerët e saj në BE e pranojnë se “Greqia mban peshën për komunitetin e gjerë ndërkombëtar dhe meriton të gjithë mbështetjen që mund të ofrohet”.