“Me shtatë marrëveshjet, aplikuesit do të furnizojnë rreth 500 kokë bagëti, të cilat dukshëm do ta përmirësojnë kualitetin e prodhimit vendor të qumështit dhe do ta zmadhojnë fondin e bagëtisë së vendit”, theksoi Babovski, ndërsa shtoi se në ditët në vijim, do të lidhen edhe marrëveshje të tjera me aplikuesit të cilët i plotësojnë kushtet
Zejnulla VESELI
Shkup, 14 gusht – Në Agjencinë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural janë firmosur shtatë marrëveshje për furnizim të bagëtive për shumim prej gjithsej 70 aplikimeve për koofinancimin e të cilave janë të paraparë 151 milion denarë të siguruar përmes Programit për zhvillim rural, shkruan gazeta KOHA.
“Mbështetja e përgjithshme financiare e këtyre shtatë marrëveshjeve është 22 milionë denarë, të holla me të cilat fermerët do të furnizohen me dhi pjellore mashkullore dhe femërore me pedigre të lartë, si dhe dhen pjellore gjithashtu meshkuj dhe femra. Furnizimi dpo të bëhet nga vendi, por edhe nga jashtë, kuptohet që bagëtia do të duhet të jetë e organizatave të njohura ndërkombëtarisht për kualitet”, tha drejtori i Agjencisë për pagesë, Nikolçe Babovski. Ai theksoi që vlera maksimale e shpenzimeve të pranueshme për shfrytëzues është deri 6.5 milionë denarë, ndërsa të drejtë shfrytëzimi kanë ekonomitë bujqësore të regjistruara në regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.
Një aplikues mund të parashtrojë vetëm një kërkesë për një masë ose më së shumti dy kërkesa për masa të ndryshme të Programit për mbështetje financiare të zhvillimit rural për vitin 2019.
“Me shtatë marrëveshjet, aplikuesit do të furnizojnë rreth 500 kokë bagëti, të cilat dukshëm do ta përmirësojnë kualitetin e prodhimit vendor të qumështit dhe do ta zmadhojnë fondin e bagëtisë së vendit”, theksoi Babovski, ndërsa shtoi se në ditët në vijim, do të lidhen edhe marrëveshje të tjera me aplikuesit të cilët i plotësojnë kushtet.
Qëllimi i marrëveshjeve për furnizim të bagëtive për shumim është rritja e tufave, ripërtrirja e potencialit gjenetik të fondit të bagëtisë, që do të ndikon edhe në rritjen e prodhueshmërisë së prodhimeve blegtorale dhe në zhvillimin e përgjithshëm të degës, për çka janë të ndara 151 milionë denarë. Aplikuesit që kanë plotësuar kushtet dhe do të mbështeten me këtë masë do të fitojnë kthim të hollave prej 50 deri 75 për qind nga investimi total. Me kërkesë të fermerëve, nga ky vit aplikuesit së pari do të lidhin marrëveshje për furnizim të bagëtive për shumim, ndërsa pastaj do ta furnizojnë bagëtinë. (koha.mk)