Shkup, 25 janar – Komisioni kuvendor për shëndetësi pasditen e sotme në seancë i dha mbështetje Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për barëra dhe mjete mjekësore, me procedurë të shkurtuar në lexim të dytë, i paraqitur nga deputetët Nenad Kociq, Kastriot Rexhepi, Arbër Ademi, Beti Rabaxhievska Naumovska, Belkisa Zeqiri, Emilija Rambabova.
Me zgjidhjet e propozuara do të mundësohet krijimi i parakushteve ligjore për lëshimin e një autorizimi për vendosjen në qarkullim për vaksinat kundër Kovid-19 kur dorëzuesi i kërkesës nuk ka seli në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për lëshimin e një autorizimi të kushtëzuar për vendosje në qarkullim në rast se aplikuesi nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e plotë në përputhje me nenin 20 të Ligjit për barëra dhe mjete mjekësore.
Propozuesit në shpjegim theksojnë se nga situata aktuale në nivel botëror e shkaktuar nga koronavirusi është e nevojshme urgjent të mbrohet popullata me vaksinat efektive kundër Kovid-19 me të cilat do të ulen dëmet që i shkaktoi virusi Kovid-19 dhe do të mbrohen ekonomitë në nivel global. Sipas tyre për shkak të uljes së dëmeve nga koronavirusi qeveritë në gjithë botën do ta financojnë zhvillimin e vaksinave dhe do të lidhin marrëveshje dypalëshe me prodhuesit e vaksinave. Theksojnë se për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Maqedonisë, qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e detyruar që në afat sa më të shkurtër t’u sigurojë vaksina qytetarëve kundër Kovid-19.