Ka filluar tashmë zyrtarisht aventura e fantazistit Paqueta, me skuadrën e Milanit, pasi braziliani mbërriti të aeroportin e Milanos rreth orën 11:00 të ditës së sotme.
I nisur që dje nga Rio De Janeiro dhe pasi bëri një ndalesë në Lisbonë, Paqueta mbërriti në Milano dhe sonte do të ndjekë ndeshjen mes kuqezinjve dhe Torinos, në “San Siro”.
Nesër janë parashikuar vizitat mjekësore dhe më pas futbollisti do të qëndrojë disa ditë në Milano, ku edhe do të gjejë një shtëpi për të banuar, për t’u kthyer më pas sërish në Brazil, për festat e fundvitit.
Për t’u vënë në dispozicion të Gatussos, do të duhet të vijë data 7 janar, kur futbollisti të zbresë zyrtarisht në fushën e stërvitjes me Milanin.
“Jam shumë i lumtur që jam në Milano. Kam zgjedhur Milanin, për historinë që përfaqëson kjo skuadër”, tha Paqueta në fjalët e para në tokën italiane.