Përfundon makthi për ish-trajnerin e kombëtareve të femrave të shqipërisë, Armir Grimaj. Ish-futbollisti dhe drejtuesi i Vllaznisë u arrestua në fund të shtatorit 2018 gjatë një aksioni policor që goditi bandën e Bajrave, duke u akuzuar për trukim ndeshjesh në kuadër të grupit kriminal që ishte tejet i strukturuar.
Prokuroria e Krimeve të rënda, pasi kishte zbuluar një telefonatë të bërë nga grupimi kriminal i Bajrave në drejtim të 44-vjeçarit, ku i kërkohej që të trukonte një ndeshje të kategorive inferiore, kishte dhënë masën e sigurimit me arrest.
Por, falë apelit në shkallën e dytë të gjykimit, masa është kthyer nga arrest me burg në arrest shtëpiak.
Ndeshja për të cilën akuzohej trajneri i Kombëtares së Femrave, Armir Grimaj, është ajo e luajtur më datën 5 maj të vitit 2018 mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, ku shkodranët luanin qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Duke qenë se te Tërbuni aktivizoheshin disa lojtarë shkodranë, Grimaj dyshohet se ka përdorur influencën e tij që gjërat të shkonin mirë për Vllazninë B, që e fitoi atë sfidë.