Reagimet e organizatave politike, intelektualëve e të shoqërisë civile shqiptare ndaj masave të dhunshme në Kosovë, mars-prill 1981
Nga Qerim LITA
Demonstratat studentore që shpërthyen gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës, do të jenë si pretekst që udhëheqja komuniste jugosllave të ndërmerr masa të dhunshme, për gjoja shuarjen e “aksionit armiqësor”, përkatësisht “kundërrevolucionit” në Kosovë, i nxitur dhe i udhëhequr nga “forcat nacionaliste e irredentiste shqiptare”. Me një konstatim të tillë, nuk do të pajtohen një pjesë e udhëheqjes kosovare, në krye me Mahmut Bakallin, të cilët ishin të bindur se demonstratat studentore të 11 marsit duhet të trajtoheshin si “shprehje e pakënaqësisë sociale”, e assesi “të karakterit kundërrevolucionar”. Po t’u referohemi dokumenteve arkivore të kohës, shihet qartë se Bakalli dhe mbështetësit e tij kishin të drejtë, aq më tepër kur revolta e parë studentore u shfaq më 11 mars 1981 në mensën e studentëve. Në letrën e një grupi të studentëve, pjesëmarrës në demonstratat e 11 marsit, dërguar një ditë më pas Komiteti Krahinor të LK të Kosovës, KQ të LK të Jugosllavisë dhe KQ të LK të Serbisë, veç tjerash në të thuhej:
“…Ne jemi djem nga prindër fshatarë, të cilët nuk kanë mundësi financiare për të na shkolluar, ndërsa shteti që duhet të na ndihmoj këtë nuk e bënë: supa që na jepet është një pjatë me ujë, që ta marrim atë pjatë me ujë duhet të presim tre orë; udhëheqja shtetërore e partiake tash na konsideron si ‘armiq’ për ta arsyetuar veprimin e tyre antiligjor dhe në këtë mënyrë ta arsyetojnë gjakderdhjen dhe jetën e shokëve tanë; kur kërkuam mbrojtjen e jetës së shokëve tanë nëpër burgje e spitale – na rrahën brutalisht me shkopinj gomash. Urdhërdhënësit – zoti i lashtë nuk dinë se çfarë bëjnë, e keqpërdorin pushtetin dhe besimin e dhënë dhe tash ne na akuzojnë – për atë që nuk jemi ndërsa ata duhet ta rishikojnë vetveten….”.
Mirëpo, e gjithë kjo nuk u morë në konsideratë nga shumica e udhëheqjes kosovare. Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së KSA të Kosovës dhe Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur menjëherë pas demonstratave të 11 marsit, me shumicë votash u soll konkluzioni për sa më poshtë vijon: “…Këto demonstrata studentore, megjithëse sipas arsyes paraprake dhe të parullave ishin të natyrës sociale, të lidhura me kushtet e dobëta të ushqimit të studentëve dhe më gjerë për disa çështje që lidhen për standardin studentor, sipas dimensionit të tyre, sipas kohës dhe mënyrës së artikulimit dhe sipas konsekuencës së tyre paraqesin një aksion politik shumë të dëmshëm, të papranueshëm e të palejueshëm në sistemin tonë. Një mënyrë e tillë e artikulimit të problemeve sociale, edhe kur ato realisht ekzistojnë, nuk i ndihmon zgjidhjes së problemit, por mund të jetë vetëm në dobi dhe në funksion të forcave dhe tendencave armiqësore nacionaliste…”.
Marrja e një qëndrimi të tillë në mbledhjen e sipërpërmendur nënkuptonte se shumica e udhëheqjes kosovare ishte e vendosur që me çdo kusht të qëndrojë pas politikës mashtruese, e mbi të gjitha antishqiptare, të nomenklaturës komuniste jugosllave. Ata, siç do të shohim në vazhdim të këtij punimi, do të jenë bashkëpjesëmarrës në krimin dhe gjenocidin e kryer në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën nga ana e autoriteteve politike e ushtarako-policore të Beogradit. Nisur nga ky fakt, Mahmut Bakalli (në cilësinë e kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës) më 12 mars 1981, nëpërmjet një telegrami, u përpoq edhe një herë ta bindë Kryesinë e KQ të LKJ-ës, se, demonstratat e organizuara më 11 mars 1981 në Prishtinë, nuk ishin të karakterit politik, por social, dhe se siç pohon ai, “të njëjtat u ndërprenë falë ndërhyrjes politike nga aktivistët tanë”. Ai më tej në telegram shtonte: “…Pas ndërprerjes së demonstratave gjendja në Universitet dhe në mbarë Krahinën është normalizuar. Zhvillohet një veprimtari intensive politike që mos të përsëriten çrregullime të ngjashme…”. Mirëpo, një konstatim i tillë, në mënyrë kategorike u hodh poshtë nga Këshilli Federativ për mbrojtjen e rregullimit kushtetues të RSFJ-ës. Anëtarët e këtij organi Federativ në mbledhjen urgjente të mbajtur po atë ditë në Zagreb, vlerësuan se: “…Standardi studentor nuk është shkaku kryesor i demonstratave, por se bëhet fjalë për një aksion armiqësor…”. Me një qëndrim të tillë u pajtua edhe Kryesia e RSFJ-ës, dhe në marrëveshje me udhëheqjen kosovare, me 12 mars, i njëjti nëpërmjet TANJUG-ut, doli si qëndrim i parë zyrtarë i udhëheqjes jugosllave.
Për rrjedhojë, policia e Kosovës në bashkëveprim me forcat speciale të Federatës, ndërmorën masa të shpejta e të rrepta si ndaj studentëve ashtu edhe ndaj inteligjencës shqiptare. E gjithë kjo rezultoi që studentët të ndryshojnë formën dhe kahjen e demonstratave që do t’i organizojnë më pas. Tashti, për dallim nga 11 marsi, studentëve do t’ju bashkohen masat e gjëra shqiptare si: intelektualë, punëtorë, minatorë, zejtarë, bujq etj. Me një fjalë, demonstratat që u organizuan më 25 mars në Prizren, 26 mars në Prishtinë, 30 mars në Podujevë dhe 1-3 maj përsëri në Prishtinë, morën karakter gjithëkombëtar. Mbështetja gjithnjë e më e fuqishme e demonstratave nga masat e gjera shqiptare, jepnin mesazhe të qarta se çështja e pazgjidhur shqiptare nën Jugosllavi, nuk mund të mbahej peng nga autoritetet e Beogradit, aq më tepër kur tash më ajo, falë aktiviteteve të bujshme të mërgatës shqiptare që vepronte në SHBA e në shtetet e Evropës Perëndimore, u ndërkombëtarizua. Në rrethana të tilla, e vetmja zgjidhje ishte hapja e dialogut politik midis dy palëve tash më të konfrontuara. Mirëpo, organet udhëheqëse shtetërore e partiake jugosllave, në vend të saj, në fillim të muajt prill ndërmorën masa më radikale, fillimisht në Prishtinë e më pas ato të shtrihen në mbarë territorin e Kosovës.
Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-ës dhe Kryesisë së KQ të LKJ-ës, mbajtur me 1 prill 1981 në Beograd, u vlerësua se “në Prishtinë është krijuar gjendje krize”. Në telegramin dërguar kryetarëve të kryesive të republikave e të krahinave si dhe të komiteteve qendrore e krahinore të LKJ-ës, shprehimisht thuhet: “Në bazë të planit ‘Rubin-81’, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së SFRJ-ës dhe Kryesisë së KQ LKJ-ës, mbajtur më 1 prill 1981, në ora 19.00, u vlerësua se gjendja e sigurisë në Prishtinë është e tillë, që kërkon përdorimin e dispozitave përkatëse të cilat janë të parapara në gjendje krize. Në bazë të këtyre vlerësimeve, Kryesia e RSFJ-ës ka lëshuar urdhëresë që njësitë e APJ-ës t’i rrethojnë dhe sigurojnë objektet dhe institucionet publike në Prishtinë”.
Ndërkohë, në mbledhjen që dy kryesitë e sipërpërmendura e mbajtën një ditë më pas (2 prill 1981) po në Beograd, u soll vendimi, me të cilin u shpall gjendja e jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës. Për rrjedhojë, brenda natës së 2-3 prillit në Kosovë u stacionuan njësi të shumta speciale policore, nga të gjitha republikat e atëhershme dhe të KSA të Vojvodinës, si dhe njësitë e shumta të APJ-ës, të cilat nën pretekstin e “mbrojtjes së rregullimit shoqëror në Kosovë”, e cila gjoja se ishte “vënë në rrezik” për shkak se siç thuhej “veprimtarisë armiqësore e kundërrevolucionare të nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë”, zhvilluan një fushatë të egër e të dhunshme kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare. Burimet sekrete jugosllave bëjnë të ditur se, vetëm gjatë një aksioni të zhvilluar midis 3-4 prillit, forcat policore-ushtarake jugosllave të instaluara në Kosovë: “vranë 8 (tetë) demonstrues, plagosën 75 të tjerë, arrestuan 807 vetë, ku ndaj 28 u zhvillua një procedurë e shpejtë hetimor, ndërsa ndaj 698 personave tjerë është ndërmarrë masa disiplinore….”.
Kundër të arrestuarve, pasi u kryen të gjitha procedurat hetimore, nga vjeshta e vitit 1981 u organizuan procese gjyqësore, të cilat do të zhvillohen në pesë gjykatat e atëhershme qarkore të Kosovës. Ata akuzoheshin për vepra të ndryshme penale, si për shembull: “propagandë armiqësore”, “shoqërim për shkak veprimtarisë kundërrevolucionare” etj. Se cili ishte numri i të dënuarve, saktësisht nuk mund të dihet, mirëpo në këtë rast po i referohem dokumentit arkivor me titull: “Shënime stenografike nga bisedimet e zhvilluara midis delegacionit të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes komuniste të Kosovës, mbajtur më 20 dhjetor 1982 në Shkup”, ku ndër të tjera thuhet se në Kosovë: “…Janë ndërmarrë masa të rrepta ligjore e politike kundër bartësve dhe pjesëmarrësve të aksionit kundërrevolucionar, në çfarë do lloj forme që ato janë shfaqur dhe manifestuar në formë legale apo ilegale. Masa ligjore për kundërvajtje janë zbatuar kundër 1.600, ndërsa penale kundër rreth 600 personave…”.
Nëse merret për bazë kjo e dhënë, atëherë del se në Kosovë deri në mbarim të vitit 1982, numri i përgjithshëm i të dënuarve arrinte shifrën prej 2.200 vetëve, prej tyre 600 u dënuan për vepër penale. Është e rëndësishme të vihet në pah se, numri më i madh i të dënuarve vinin nga shtresa intelektuale si: studentë, profesorë, arsimtarë etj., madje nuk do të kursehen as edhe adoleshentët. Të gjitha ato dënime u shqiptuan nga ana e gjykatave të atëhershme komuniste të Kosovës, të cilat brenda periudhës kohore tetor 1981 -shtator 1982 zhvilluan qindra procese gjyqësore. Vala më e madhe e tyre ishte gjatë muajve qershor-korrik 1982, ku sipas të dhënave arkivore ishin mbajtur gjithsej 37 procese, edhe atë: 10 nga ana e Gjykatës së Qarkut në Prishtinës, 7 nga Gjykata e Qarkut në Pejë, 5 nga Gjykata e Qarkut në Prizren, 14 nga Gjykata e Qarkut në Gjilan dhe 1 proces gjyqësor nga ana e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë.
Masat e dhunshme policor-ushtarake e gjyqësore në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, për autoritet komuniste kosovare konsideroheshin si një “fitore e madhe e revolucionit socialist”. Ata madje për këtë do t’ju shprehin mirënjohje të thellë, udhëheqësve komunistë të federatës së atëhershme jugosllave si edhe të republikave, për siç u shpreh Sinan Hasani në bisedën zyrtare të zhvilluar më 20 dhjetor 1982 në Shkup, ndërmjet delegacionit të KK të LK të Kosovës dhe KQ të LK të Maqedonisë: “…kontributin e dhënë në tejkalimin e ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë dhe mënjanimin e pasojave të saj…”. Pa ndihmën e tyre, veçanërisht në momentin e eskalimit të ashpër të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, ne vështirë se do t’ia dilnim në krye, dhe se falë kësaj, i njëjti sot, aq shumë është shpartalluar, saqë kur më nuk do të mund të organizoj aksione të ngjashme me ato të pranverës së vitit 1981, thekson më tej Hasani.
Qëndrim krejtësisht të kundërt patën organizatat dhe partitë e atëhershme politike shqiptare në mërgim, por edhe të atyre klandestine, si dhe një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve dhe intelektualëve të shquar shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme të Kosovës, më 14 prill 1981 i telegrafonte Sekretariatët përkatës Federativ në Beograd, për demonstratat shqiptare të organizuara në Uashington, Frankfurt dhe Bruksel. Në telegram thuhej se demonstratat e Uashingtonit ishin organizuar nga Lidhja Kosovare dhe Balli Agrar, dhe se në të kishin marrë pjesë mbi 1.300 demonstrues. “…Numri kaq i madh i emigracionit shqiptarë, theksohej në telegram, vjen si rrjedhojë e përgatitjes dhe propagandës së gjerë të emigracionit…Para se të tërhiqeshin demonstruesit nga ndërtesa e ambasadës tonë (jugosllave – Q.L.), Vasil Andoni, Luan Gashi dhe Jusuf Azemi, me veturë shkuan në ndërtesën e Kongresit amerikan, ku qëndruan një kohë bukur të gjatë. Me siguri kanë biseduar me ndonjë senatorë, veçmas me Persin, të cilit më herët i kanë dërguar peticion dhe ju ka thënë se do t’i pranojë gjatë kohës së demonstratave…”. Më tej në telegram bëhej me dije se nga ana e organizatorëve të demonstratave të mbajtura në Frankfurt dhe Bruksel, në radhë të parë nga Hysen Tërpeza dhe Vehbi Ibrahimi, ishin paralajmëruar edhe demonstrata dhe aktivitete tjera si në Bon, Hamburg, Cyrih dhe Paris. “Hysen Tërpeza, nënvizohet në telegram, përgatit botimin e broshurës me titull ‘Tradhtia serbe dhe plani i qeverisë jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve’, të cilën do ta shpërndajë në mesin e emigrantëve dhe qytetarëve shqiptarë, si dhe do ta fusë edhe brenda në Kosovë…”.
Ndërkohë, organizatat klandestine, si dhe një numër i konsiderueshëm i personaliteteve të shquara shqiptare, revoltën e tyre kundër shtetrrethimit ushtarako-policor të Kosovës e shprehën përmes letrave anonime drejtuar udhëheqjes së atëhershme komuniste kosovare e jugosllave, duke ua bërë me dije se pas kërkesave të studentëve qëndron i mbarë kombi shqiptarë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre ideologjike dhe se nuk ka forcë e cila do t’i detyronte shqiptarët të tërhiqeshin nga aspiratat e tyre të kamotshme, “krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave”, në të cilën republikë do të përfshiheshin “të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi”. Ndër reagimet e para ishte letra e organizatës, përkatësisht partisë ilegale, e njohur me emrin: “Partia Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (PMLSHJ-ë), dërguar Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, më 14 prill 1981. Në fakt, ajo përbënte “Notën” e Komitetit Qendror të organizatës në fjalë, me çka ajo e mori përsipër organizimin e demonstratave. Në të fillimisht thuhej: “…Kombet e mbarë botës luftojnë dhe angazhohen për liri, pavarësi, sovranitet, drejtësi të përgjithshme, kulturë dhe paqe. Përse kombi shqiptar nuk duhet të angazhohet për të gjitha këto, aq më tepër kur ndaj tij armiqtë dhe tradhtarët me shekuj ia kanë nëpërkëmbur atë aspiratë të shenjtë…”. Më pas, anëtarët e organizatës së sipërpërmendur, ju drejtohen drejtuesve komunistë kosovarë, veçmas Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit e Ali Shukriut, me fjalët: “…Kërkuam republikë në territorin e federatës jugosllave, atë kërkesë e lamë anash, ndërsa ju, përkundrazi, na e morët edhe autonominë. Merremi me çështjet sepse ju na thatë se Kosova Republikë është kërkesë ‘armiqësore’, ndërsa demonstratat ‘irredentiste, shoviniste, nacionaliste dhe së fundit na quajtët shqiptaro-mëdhenj’, ndërsa lirisht mund të na quani edhe pansllavist. Ju jeni munduar të na bindni se kërkesa Kosova republikë është armiqësore, ndërsa ne e dimë se nëse Kosova shpallet republikë në territorin e federatës jugosllave, atëherë Jugosllavia do të ishte më e fortë…Na quajtët neve shqiptaro-mëdhenj. Jo, nuk jemi ne shqiptaro-mëdhenj dhe asnjëherë nuk kanë qenë të mëdhenj ata të cilët i kanë kërkuar të drejtat e tyre. Të mëdhenj janë ata të cilët i shtypin të tjerët, i robërojnë, i vrasin dhe së fundit e rrahin shokun dhe nuk e lënë të qajë. Ju shumë shqiptarë në Maqedoni i keni regjistruar si maqedonas dhe shumë në Kosovë i keni regjistruar si myslimanë. Ne lirisht ju themi se mund t’i regjistroni shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi ashtu siç dëshironi ju, por ata vetveten e dinë shumë mirë se janë shqiptarë. Mund t’i ndryshoni emrat e qyteteve në Kosovë edhe atë jo vetëm me emrin e Titos dhe Rankoviçit apo të Pashiçit. Ata qytete i kanë emrat e tyre edhe atë: Prizreni – qytet i mbretërisë shqiptare, Gjakova – e Bajram Currit, Peja – e Haxhi Zekës, Mitrovica – e Isa Boletinit, Vushtria – e Shaban Polluzhës, Podujeva – e Sali Hoxhë-Përpelacit, Prishtina – e Hasan Prishtinës, Ferizaj- i Idriz Seferit, Gjilani – i Xheladin Beqirit, pra ju mund t’i quani ashti siç dëshironi…”.
Nota e organizatës së sipërpërmendur përfundonte me si vijon: “…Bëni çfarë të dëshironi, jo vetëm policinë, por ftoni edhe ushtrinë. Le t’ua ruajnë jo vetëm rrugët, por edhe arat, ashtu siç vepruan motrat dhe vëllezërit tanë më 26 mars dhe 1 e 2 prill. Nga mesi ynë i ndatë 1.200 vëllezër e motra tona, mirëpo ju falënderojmë që i keni ftuar edhe ata që na i dërguat. Kosova, sot ka dy festa të reja, 26 marsin dhe 2 prillin, të cilat historia kurrë nuk do t’i fshijë. Ato dy data të rëndësishme janë futur në kalendarin e përkujtimeve të dëshmorëve të Kosovës. Veproni si të doni, ndërsa ne ju betohemi qoftë në kishë qoftë në xhami, se nuk do të tërhiqemi edhe nëse lëshoni bombë atomike…”.
Më 12 maj 1981, në adresë të KQ të LKJ-ës, arriti një letër e nënshkruar nga disa intelektualë shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera nën Jugosllavi. Letra mbante titullin: “Kush e mbolli nacionalizmin në Kosovë dhe te shqiptarët në Jugosllavi”. Në fakt, intelektualët shqiptarë, një letër me përmbajtje të njëjtë e adresojnë edhe deri te Kryesia e KK të LK të Kosovës. Duhet të vëmë në dijeni se përmbajtja e letrës ishte bukur e gjerë, me gjithsej 32 faqe, ku në mënyrë kronologjike përshkruhen ngjarjet dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, që nga rënia e Perandorisë Osmane e deri te Plenumi i Brioneve (1966). Lidhur me politikën hegjemoniste serbomadhe, intelektualët shqiptarë, veç tjerash në letër do të shprehen: “…Pas rënies së Turqisë filloi lufta për dominim dhe hegjemonizëm te fqinjët, filluan luftërat vëllavrasëse dhe shumë të ashpra midis tyre, ashtu siç i njohim nga historia. Luftërat të cilat u zhvilluan nuk u iniciuan nga shqiptarët – sepse ata mbroheshin nëpër shtëpitë e tyre, por nga serbët e malazezët në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Vetëm gjatë vitit 1913 u vranë 13.000 shqiptarë. Krijimi i shtetit të SKS-së, shqiptarëve, maqedonasve, myslimanëve nuk ua solli lirinë, por dhunën dhe terrorin – kurse më së shumti shqiptarëve. Qëllimet nacionaliste e shoviniste ishin që shqiptarët të depërtohen me dhunë nga vatrat e tyre, të asimilohen, mirëpo kjo nuk u arrit…”.
Më pas, intelektualët ndalen në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, që, sipas tyre, autoritetet komuniste jugosllave, nga viti 1948 e deri në vitin 1966, në mënyrë të paskrupullt e terrorizuan popullsinë shqiptare: “…Në vitin 1951 u përdor dhuna që shqiptarët të regjistroheshin si turq, mysliman apo si të papërcaktuar ose të pa fe. Filloi forma më e errët e depërtimit të dhunshëm e të terrorit jashtë vatrave të tyre, madje në Turqi haptazi flitet për një Konventë të nënshkruar nga pala jugosllave për depërtimin e shqiptarëve në atë shtet. Kështu nga evidencat shtetërore shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, shprehur në numër është si vijon: në vitin 1953 u shpërngulën 13.000 banorë, në vitin 1954 ky numër u rrit në 17.000, në vitin 1955 u shpërngulën 51.000, në vitin 1956 u arrit rekordi prej 57.000 të shpërngulur, në vitin 1957 u shpërngulën 41.000, në vitin 1958, 27.000, në vitin 1959, 23.000 banorë, që zgjati deri te Plenumi i Brioneve. Në të gjitha forumet partiake e shtetërore pas Plenumit të Brioneve zyrtarisht pranohet për shpërnguljen e më shumë se 300 mijë shqiptarë nga Kosova, 200 mijë shqiptarë nga Maqedonia dhe rreth 100 mijë të tjerë nga Mali i Zi. Në Maqedoni jo vetëm që janë shpërngulur, por ato vendbanime janë kolonizuar me popullsi maqedonase. Këtë me siguri e di mirë Llazar Kolishevski, sepse në atë kohë ishte udhëheqësi kryesor në RS të Maqedonisë….”. (koha.mk)
(vijon nesër)