Mbappe: Icardin e gjykojnë pa e njohur, do shënojë shumë gola për PSG-në

I ftuar në mbrëmjen e “Best Fifa Football Award 2019”, në Milano, sulmuesi francez i Paris Saint Germain, Kylian Mbappe ka folur edhe për shokun më të ri të skuadrës, argjentinasin Mauro Icardi, që u transferua në Francë vetëm në orët e fundit të merkatos verore.

“Njerëzit e gjykojnë për atë që bën jashtë fushës së blertë, para se të përpiqen ta njohin njëherë personin. Për mua është një djalë shumë interesant, pro edhe pak i turpshëm”, deklaroi Mbappe.

“Icardi u fut menjëherë në dhomat e zhveshjes dhe po jep gjithçka për fanellën. Na takon neve ta ndihmojmë të ambientohet sa më shpejt dhe më mirë, që ai më pas të shënojë shumë gola për PSG-në”, shtoi më pas francezi.

Kujtojmë që Icardi ka luajtur 88 minuta në total me fanellën e PSG-së, duke mos e gjetur ende golin e parë, ndërsa me Mbappe nuk ka luajtur ende asnjë minutë, pasi francezi vuan nga një dëmtim i pësuar në ditët e fundit të gushtit.