Sipas një raporti të fundit përafërsisht çdo dy orë, produktet që duken të padëmshme sikur ngjyruesi i thonjve, acetoni, shamponi apo produktet e makijazhit e dërgojnë një fëmijë në spital, shkruan Dailymail, transmeton Gazeta Express.
Duket shumë e këndshme kur fëmijët veprojnë si të rritur, duke përdorur ngjyrues të thonjve apo e vendosin buzëkuqin e nënës. Mirëpo sipas raportit të fundit, këto veprime që duken të pa dëmshme, çdo vit, dërgojnë 4300 fëmijë nën moshën 5- vjeçare në spitale nga helmimi me kimikale të këtyre produkteve.
Autorët, që kanë kryer këtë hulumtim bëjnë thirrje prindërve, t’i mbajnë sa më larg fëmijët e tyre nga këto produkte kozmetike.
“Kur e vëreni se çfarë fëmijët shohin kur i shikojnë këto produkte, ju do të filloni të kuptoni arsyen pse këto incidente ndodhin”, tha Rebecca Mc Adams, autore e këtij studimi. “Fëmijët në këtë moshë nuk mund të lexojnë, kështu që ata nuk janë të informuar se çfarë janë ato produkte. Sipas tyre ajo është vetëm një shishe e mbushur me jogurt, dhe është e lejueshme të hahet apo të pihet”, shtoi ajo.
Përafërsisht 60% e fëmijëve të cilët janë hospitalizuar për këtë problem janë nën moshën 2-vjeçare. Sipas këtij raporti, acetoni i thonjve duket të jetë “pija” e preferuar e fëmijëve. Ai është shkaku i hospitalizimit të 17% të fëmijëve gjatë viteve 2002 dhe 2016.
Produktet më të rrezikshme për fëmijët janë produktet e flokëve. Kjo kategori e produkteve është përgjegjëse për 52% të dëmtimeve serioze të fëmijëve të vegjël.
Përderisa produktet nuk kanë një ambalazh që do të ishte rezistent dhe i pakapshëm ndaj fëmijëve, është shumë e rëndësishme për prindërit t’i mbajnë sa më larg nga ta.