Sarajevë, 12 dhjetor – Seanca e parë e anëtarëve të Presidencës së BeH-së u mbajt sot në selinë e udhëheqjes shtetërore në Sarajevë, vetëm me flamurin dhe stemën e BeH-së. Kryesuesi Milorad Didiq vlerësoi se seanca është mbajtur në “mënyrë korrekte”.
Dodiq, i cili paraprakisht insistoi në atë se flamuri i Republikës Sërpska duhet të vendoset në sallë ku mbahen seancat, sot u ka bërë thirrje gazetarëve të vijnë në zyrën e tij pas takimit, kur përveç flamurit shtetëror është vendosur edhe ai etnik i Republikës Sërpska.
Për shkak të konfliktit rreth flamurit, dje ishin shtyrë konsultimet e planifikuara me përfaqësuesit e partive politike për ndarjen e mandatit për përbërjen e ministrave të BeH-së.
Dodiq para gazetarëve tha se është pajtuar në kompromis, sepse “la kuptuar se disa çështje duhet të zgjidhen”, por paralajmëroi se do ta ngrejë çështjen për ndryshimin e ligjit për flamur të BeH-së në Parlamentin shtetëror.