Mbahet parada me biçikleta

 “Qyteti i Shkupit vitin e kaluar ishte finalist, ishte një ndër tre qytetet në Evropë për nga mobiliteti. Të parët ishin Malmo, ndërsa të dytët qyteti i Shkupit dhe Lisbona. Kjo vërteton se në lidhje me mobilitetin jemi duke ecur në rrugë të drejtë”

16

Shkup, 22 shtator – Nën moton “Ditë pa automjete” në Shkup u mbajt parada tradicionale me biçikleta në kuadër të Javës Evropiane për Mobilitet, duke filluar nga porta “Maqedonia” në qendër të qytetit dhe përfundoi në Parkun e Qytetit. Parada me biçikleta organizohet nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në mbështetje Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup. Në paradë morën pjesë mijëra qytetarë të cilët shprehën kështu vullnetin e tyre për ngritje të vetëdijes publike për vlerat që i ka shfrytëzimi i këtij transporti. Kryetar i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili mori pjesë në paradë, përshëndeti numrin e madh të të rinjve që u përfshinë në paradë, duke theksuar se të rinjtë mund të ndryshojnë vetëdijen tek qytetarët e Shkupit sa më tepër të shfrytëzojnë biçikletën për transport, por edhe për rekreacion. “Qyteti i Shkupit vitin e kaluar ishte finalist, ishte një ndër tre qytetet në Evropë për nga mobiliteti. Të parët ishin Malmo, ndërsa të dytët qyteti i Shkupit dhe Lisbona. Kjo vërteton se në lidhje me mobilitetin jemi duke ecur në rrugë të drejtë”, deklaroi Trajanovski. Paradës tradicionale të biçikletave iu bashkangjit edhe zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, i cili apeloi: “Ju bëj thirrje të gjithëve që të përfshihemi në këtë luftë për ajër të pastër. Bëhuni patriotë modern, shfrytëzoni biçikleta.” Në Parkun e Qytetit, ku dhe përfundoi parada, u mbajt një program zbavitës, ndërsa disa qytetarë fituan edhe biçikleta përmes lotarisë nga organizatorët si simbol për shfrytëzimin e mjeteve alternative të transportit.

Comments are closed.