Një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati ndër vite kanë braktisur vendlindjen dhe kanë marrë rrugën e mërgimit, ndërsa krahas investimeve në infrastrukturë, vitin e kaluar në këtë fshat është ndërtuar edhe objekti shkollor për nxënësit e fshatit
Urim HASIPI
Tetovë, 10 tetor – Me veshje tradicionale të fshatit Gurgurnicë, me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, në praninë e shumë mysafirëve nga Kosova e Shqipëria dhe vendi, për herë të parë u mbajt Festivali i Trashëgimisë Kulturore “ Gurgurica 2019” . Ky festival ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore të këtij fshati që gjendet në një lartësi mbidetare prej 1100 metra në territorin e Komunës së Bërvenicës. Pjesë e këtij festivali ishin edhe ushqimet tradicionale, defilimi i Shoqërive kulturore artistike nga shumë treva shqiptare si dhe lojërat popullore. Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti tha se ky eveniment kontribuon në zhvillimin e kulturës shqiptare në trevat tona duke premtuar se kjo nuk do të jetë hera e fundit që mbahet një manifestim i këtillë, por do të vazhdojnë me qëllim për të ngritur vetëdijen kulturore dhe për të promovuar vlerat natyrore të këtij fshati. “Kjo iniciativë ka filluar më herët, por dhe jam më se i sigurt se nuk do të jetë vetëm për këtë vit, por do të jetë një manifestim tradicional edhe viteve të ardhshme. Mendimi ynë është që ky eveniment, viteve të ardhshme të mbahet gjatë muajve të verës, kur edhe janë mërgimtarët në vendlindje ndërsa Komuna do të mbështesë këto aktivitete që kanë për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe për të kontribuar në mënyrë që banorët mos braktisin këtë vend”, u shpreh kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.
Shoqata për Arsim dhe Kulturë “Adrion” dhe Iniciativa qytetare e grave “Antiko” ishin organizatorë të këtij manifestimi. Nga këto shoqata theksuan se është dashur një kohë e gjatë për të arritur deri tek ky organizim kaq madhështor, i cili do të vazhdojë të promovojë vlerat e Gurgurnicës. “Këtë radhë bëmë një tendencë për të promovuar kujtesën tonë dhe të shfaqim trashëgiminë kulturore, dhe ku ka më mirë se në fshatin Gurgurnicë ta bëjmë këtë. Unë e falënderoj kryetarin e Komunës që na mbështeti dhe të gjithë popullin e Gurgurnicës, por edhe koordinatorin i cili ka punuar me shumë devotshmëri në këtë fshat” theksoi Lindita Emërllahu, kryetare e Shoqatës “Adrion”.
Përveç mbështetjeve institucionale, ky manifestim kishte edhe mbështetje të bizneseve private, pa të cilët, siç theksuan organizatorët, nuk do ishte e mundur. Kompania Ju-Sm është njëra ndër sponzorët gjeneral të këtij manifestimi nga ku theksuan se do gjithmonë do të jenë përkrahës të manifestimeve që kanë të bëjnë me promovimin e vlerave të fshatit Gurgurnicë. “Është i vetmi fshat i cili ruan traditën dhe kulturën, dhe ende është e gjallë veshja tradicionale. Është prezantuar nga ana e bashkëfshatarëve se si organizohet një dasmë. Edhe përkundër shumë shpërnguljeve si në fshatrat e Komunës së Zhelinës por edhe në Tetovë, fshati ka gjallëri ende. Ka njerëz që jetojnë dhe punojnë, dhe nuk e lëshojnë vendlindjen pavarësisht kushteve të vështira, sidomos rruga është e largët për në qytet, por njerëzit e duan këtë vend” tha Jumni Bakiu, banor i këtij fshati, njëkohësisht edhe mbështetës i shumë aktiviteteve dhe investimeve në këtë fshat.
Një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati, ndër vite kanë braktisur vendlindjen dhe kanë marrë rrugën e mërgimit, ndërsa krahas investimeve në infrastrukturë, vitin e kaluar në këtë fshat është ndërtuar edhe objekti shkollor për nxënësit e fshatit. Më shumë se një orë duhet që të udhëtohet nga Tetova për të arritur në fshatin Gurgurnicë, ndërsa më vështirë është gjatë muajve të dimrit kur shpesh herë rruga bllokohet nga ortekët e borës. (koha.mk)