Pak orë pasi ka festuar 40-vjetorin e lindjes, ish-boksieri amerikan Floyd Mayweather i është rikthyer temës më të përfolur të muajve të fundit, një dueli mes tij dhe irlandezit të UFC-së, Conor McGregor. Këtë herë, Mayweather ka ngritur zërin, duke i kërkuar llogari ikonës së arteve marciale mikse dhe duke i thënë se pengesë që përballja mes tyre nuk po zhvillohet është Dana White, presidenti i UFC-së. Ndaj dhe boksieri i ka kërkuar McGregor të shkojë të flasë me shefin e tij. “Ja ku jam, po të pres, ti e di numrin tim. Le ta realizojmë këtë sfidë”, ka qenë komenti i ish-boksierit amerikan, që e mbylli karrierën e tij i pamposhtur (49 fitore dhe asnjë humbje).
Më tej, Mayweather ka thënë se rivali i tij është i fortë, duke e vlerësuar paraqitjen e tij në kafaz. “Sa herë që ka dueluar dhe ka fituar ka qenë në këmbë. Kur ka humbur, është dorëzuar me nder, ndaj ai është një luftëtar i fortë. Është një kundërshtar i fortë. Dorezat e UFC-së nuk ndryshojnë shumë nga ato të boksit, vetëm se janë pak më të vogla. Por nëse një njeri ka fuqi bën mrekulli dhe Conor ka fuqi”, u shpreh më tej boksieri amerikan, duke vlerësuar aftësitë teknike të irlandezit. Por, njëkohësisht, i ka kërkuar që të flasë me UFC-në, që po e pengon këtë duel. “Fol me shefin tënd dhe UFC-në, pasi të gjithë e dinë që Floyd është vetë shefi”, tha Mayweather.