Mayweather konfirmon revanshin: Duelojmë vitin tjetër, mungon vetëm ky detaj

Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, boksieri amerikan Floyd Mayweather, ka befasuar me deklaratën e tij. Ai u shpreh se vitin tjetër do të përballet sërish në ring me irlandezin Conor McGregor. Dy ikonat e sporteve luftarake kanë dueluar më parë në gusht të vitit 2017, me Mayweather që fitoi me KO teknik në rundin e 10-të.

Sipas Mayweather, nuk është vendosur ende nëse kjo sfidë mes tyre do të jetë një duel “show” apo një sfidë e vërtetë boksi, me 12 raunde. Më tej, boksieri amerikan (50 fitore e asnjë humbje në karrierë), tha se stafet e dy sportistëve po punojnë për të sistemuar të gjitha detajet para se sfida të bëhet zyrtare.

Këtë fundjavë, Mayweather do të zhvillojë një duel “show” në Japoni ndaj Mikuru Asakura. Ai shtoi se ka edhe një sfidë tjetër në nëntor, në Dubai dhe më pas do të përballet me McGregor, vitin 2023. “Nuk e kemi vendosur ende nëse do të jetë një duel show apo një ndeshje boksi profesioniste”, tha Mayweather.

Advertisements

“Ne po bisedojmë, por unë preferoj një duel “show”. Nuk jam për duele ku më duhet të dëmtohem më. Dua të përballem me sportistë si McGregor apo personazhe të YouTube, që nuk godasin fort. Nuk jam më për duele profesioniste, pasi nuk dua ta vendos veten në pozita ku mund të dëmtohem”, tha Mayweather.