Çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Aq ka zgjatur edhe lajmi se më 31 dhjetor, boksieri i pamposhtur amerikan Floyd Mayweather do të rikthehet në ring për të zhvilluar një duel me japonezin Tenshin Nasukawa. Por ajo që u promovua si një sfidë e madhe është kthyer sot në një flluskë sapuni. Pasi është rikthyer në Amerikë, Mayweather ka hedhur poshtë gjithçka, duke anulluar sfidën. Përmes një postimi të gjatë në faqen e tij zyrtare në “Instagram”, boksieri amerikan ka sqaruar se përse mori këtë vendim.
“Tani që u riktheva në Amerikë, pas një udhëtimi të gjatë dhe zhgënjyes në Tokio, kam kohë për t’ju drejtuar juve, tifozëve të mi dhe mediave në lidhje me eventin e ardhshëm më 31 dhjetor, që u njoftua kohët e fundit. Së pari dhe më kryesorja, dua që të jetë i qartë se unë, Floyd Mayweather, kurrë nuk kam rënë dakord për të zhvilluar një sfidë zyrtare me Tenshin Nasukawa. Në fakt (me gjithë respektin për këtë sportist) unë kurrë nuk kisha dëgjuar më parë për të, deri në këtë udhëtimin në Japoni. Kohët e fundit më kërkuan të merrja pjesë në një event “show”, në një duel prej 9 minutash, me 3 raunde, ndaj një kundërshtari të zgjedhur nga Rizen Fighting Federation”, sqaron Mayweather.
“Fillimisht u informova nga Brent Johnson, nga “One Entertainment”, se kjo do të ishte një sfidë “show” e organizuar për një grup të vogël spektatorësh, njerëz të pasur, për një tarifë shumë të madhe. Kjo përballje “show” u organizua fillimisht si një “duel special”, thjesht për qëllime argëtimi, pa asnjë qëllim për t’u përfaqësuar si një sfidë zyrtare boksi, për fansat apo televizionet. Sapo mbërrita në konferencën për shtyp, ekipi im dhe unë u shtangëm nga drejtimi i ri që iu dha këtij dueli. Këtë ngjarje duhej ta kishim ndaluar menjëherë. Dua sinqerisht t’i kërkoj falje fansave të mi për informacionin e çorientuar që u dha gjatë kësaj konference shtypi dhe mund t’ju siguroj se edhe unë isha plotësisht i verbër nga marrëveshja që po bëhej pa miratimin tim. Për hir të tifozëve dhe pjesëmarrësve që fluturuan nga të gjitha anët e botës për të marrë pjesë në atë konferencë shtypi, unë isha në mëdyshje dhe nuk doja të krijoja një rrëmujë të madhe, për të ndalur atë që u tha aty dhe për këtë situatë që u krijua më vjen keq. Unë jam një boksier në pension, që fiton një sasi të paparë parash në nivel global, për daljet e mia publike dhe angazhimet e ndryshme”, shkruan Mayweather.