MAYA: Do t’më pëlqente të këndoja për vitet 60’ (FOTO)

35

Më një kohë kur pandemia po bën namin nëpër botë, arti është ai që frymon aq sa për të na treguar që ka ende shpresë se do ia dalim. Në këtë kaos global, këngëtarja jonë e talentuar Maya ka sjellë një këngë ritmike dhe të ëmbël në të njëjtën kohë me titull “Hey mama” duke treguar edhe njëherë që arti është dritare jete. Maya vjen sot në një intervistë të këndshme për InfraRed të gazetës KOHA

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Maya rikthehet në kohë zjarri covidian me këngën “Hey mama”, një̈ këngë shumë ritmike që të sjell ndryshe nga ç’jemi mësuar të të shohim më parë… Një̈ dëshirë apo nevojë, domosdoshmëri për të ndryshuar?

Nuk ka qenë aspak e planifikuar. Ka qenë thjeshtë një rastësi. Krijimtaria e kompozitorit të madh Gramoz Kozeli më pëlqeu shumë. Më shumë ishte një dëshirë dhe një përshtatje e mirë nga të dyja palët.

KOHA: Kujt i shkojnë meritat për këtë këngë të bukur?

Meritat i shkojnë kompozitorit jo vetëm për muzikën, orkestrim, por dhe videoklipin dhe natyrisht mua, që e këndova bukur, por dhe për tekstin. (qesh) Mbesave të mia që luajtën rolet në videoklip, Silvana Rusi mikes time si artiste e klipit tim, por dhe producentes Linda për imazhin që krijoi.

KOHA: Në sa prej këngëve të tua, ka një histori që të përket vetëm ty?

Janë vetëm dy produksione “Guri rend në vend të vet”, “Vëllait tim” kushtuar vetëm atij.

KOHA: Të pëlqen muzika kështu siç është?

Muzika është burim, oqean, liqen dhe natyrisht në të gjitha format, që shfaqet muzika më pëlqen shumë. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën muzika po merr formën e botës, formën virtuale. Ndikohemi në njëfarë mënyre. Dhe për këtë të vjen keq. Edhe pse jam munduar të dërgoj mesazhe të forta, të ndjera është përsëri e vështirë, pasi duhet ti përshtatesh publikut, brezit të ri. Është pyetje aktuale në kohët e sotme, gjë që nuk është e lehtë për t’u shpjeguar, dhe nuk do mjaftonte koha mbi të gjitha. Do më pëlqente të këndoja më shumë për vitet 60’.

KOHA: Sa e vështirë është të mos biesh pre e kompromiseve në art?

Të mos biesh pre e kompromiseve në arte është shumë e vështirë. Unë nuk jam pre e tyre sepse nuk më pëlqejnë, por në një farë mënyre duhet të përshtatemi, pasi janë disa faktorë, që të detyrojnë disi. Por varet nga situata, mund të këndosh një këngë, që nuk të përshtatet dhe ky quhet kompromis. Mund të shkosh në një vend që nuk të përshtatet. Mund të këndosh një këngë, që mendon se do të pëlqehet shumë nga audienca, nuk je e sigurt me veten, prapë një kompromis. Unë mundohem mos të përfshihem në të tilla kompromise.

KOHA: Suksesi është pushteti për një këngëtar, apo jo?

Pjesërisht po, sepse suksesi të jep pushtet. Por, kjo varet edhe nga karakteri i këngëtarit.

KOHA: Je dakord me shprehjen: “Sa më e madhe ëndrra, aq më e madhe sakrifica për ta realizuar atë”

Me këtë shprehje jam plotësisht dakord, është shumë e vërtetë.

KOHA: Një këngë e mirë është ajo që ka 1000 apo 10 milionë klikime?

Kënga e mirë nuk varet nga klikimet. Klikimet janë tregues, por jo gjithçka sepse klikimet kanë shumë mënyra për t’u bërë të cilat nuk janë reale. Nuk besohet një këngë nga klikimet.

KOHA: A mund të quhet art, kur është edhe biznes?

Në art kemi shumëllojshmëri profesionesh. Njerëzit jetojnë prej tyre. Biznesi është punë sepse jetohet prej saj.

KOHA: Kush mendon se e bën më mirë punën e tij në këtë industri?

E bën më mirë ai që është profesionist, por si rezultat menaxhimi është mi i rëndësishëm.

KOHA: Kur mban mend të kesh qenë më e lumtur se kurrë?

Më e lumtur se kurrë ishte momenti kur erdhi në jetë djali im. Ishte një lumturi ndryshe, më e thellë, më e plotë.

KOHA: Bashkëshorti të këshillon? Cilat nga sugjerimet e tij i merr në konsideratë?

Bashkëshorti im më këshillon, sepse unë dëgjoj shumë, ndikohem nga mendimet e tjerëve, më vonë mendohem, reflektoj, mendoj edhe njëherë dhe zgjedh atë, që e shoh më të arsyeshme.

KOHA: Maya si nënë dhe si artiste, çfarë ka ndryshuar pas lindjes së djalit?

Të qenurit nënë të bënë më të plotë, e dashur kam qenë gjithmonë, por kanë ndryshuar edhe disa gjëra të tjera, përsa i përket impenjimit tim profesional. Ka shumë momente që kanë ardhur duke u përvetësuar. Unë do ta lija punën për djalin, sot.

KOHA: A është ai kryevepra jote mes gjithçkaje që ke arritur në jetë?

Djali kryevepra ime që kam arritur, është një rreze e fortë dielli në shpirtin tim.

KOHA: Cila periudhë e jetës tënde të mungon?

Më mungon koha ku kisha në jetë të 3 pjesëtarët e familjes, që sot nuk jetojnë më. Ishte kohë shumë e bukur. Në thelb e lumtur.

KOHA: Nëse do të përpiqeshe të provoje diçka të re, çfarë do të ishte intriguese për ty?

Unë kam shumë gjëra që dua të provoj. Licencën e drejtimit të një spektakli, ku të këndoj live. Nuk do flas më shumë për këtë pjesë, për të mos zbuluar detaje. (qesh)

KOHA: Çfarë është ushqim për shpirtin?

Ushqim për shpirtin tim është i gjithë arti në përgjithësi, muzika, teatri kinematografia, dashuria e të gjitha llojeve.

KOHA: Nëse do të doje të ktheheshe edhe njëherë te të 20-at, për çfarë do ta bëje?

E kush nuk e do një gjë të tillë? (qesh) Arsyeja e parë që të zbardhesha dhe të plakesha me tim shoq dhe tim bir dhe e dyta në drejtim të artit mund të kisha bërë më shumë se sot. Do kisha bërë diçka më profesionale të realizuar artistikisht mirë.

KOHA: Për çfarë do të doje të mbaheshe mend?

Për këtë që jam. Një njeri dhe artiste që me qenien time dhe artin tim jam munduar dhe mundohem të jem sa më pranë njerëzve, sa më pranë shpirtit të tyre duke i ndihmuar me gjithçka që kam mundësi. Faleminderit Zotit, që më ka dhënë një profesion të tillë, me të cilin unë bëj shumë njerëz të ndihen mirë.

KOHA: Nëse jeta jote do shkruhej në libër, cili do ishte titulli që do t’i vijë?

Motivi.