Duket se nuk kanë të sosur problemet për kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjes kualifikuese të 24 marsit me Italinë, në “Renzo Barbera” të Palermos. Portieri Etrit Berisha dhe qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti nuk mund të luajnë, sepse janë të pezulluar (me kartonë të kuq), ndërsa mjaft kuqezinjtë të tjerë nuk po luajnë në klubet e tyre. Si të mos mjaftonte kjo, një lajm shumë i hidhur vjen nga Mërgim Mavraj, një nga shtyllat kryesore të kombëtares së De Biazit, i pazëvendësueshëm në qendër të prapavijës.
Ai ka pësuar një dëmtim dhe, sipas njoftimit të bërë nga klubi gjerman, ku u transferua në janar, Hamburger, do të mungojë rreth 4 javë. Faqja zyrtare e klubit bën të ditur se lojtari shqiptar ka probleme me gjurin. Katër javë do të thonë se ai nuk do të jetë dot gati për eliminatoren e radhës të Shqipërisë, duke krijuar një “gropë” të madhe në mbrojtjen kuqezi. “Shumë e hidhur: Mërgim Mavraj, të mërkurën, në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, ka pësuar një plasaritje në zonën e gjurit të majtë dhe do të jetë rreth 4 javë larg fushave. U shërofsh shpejt, Mërgim!” – shkruhet në njoftimin e Hamburger SV.