Kristian Panuçi e nis me këmbë të mbarë aventurën e tij në Bankinën kuqezi. Skuadra e Kombëtares shqiptare arriti të mposhtë Lihtenshtejnin për të 3 herë me rezultatin 2-0, me golat e Roshit dhe Agollit, duke vijuar traditën e dy sfidave të para të luajtura në vitin 2008 dhe 2016. Kuqezinjtë sulmuan që në fillim në këtë ndeshje duke e detyruar Lihtenshtejnin te mbyllej në zonën e tij. Mesfushori i Kombëtares shqiptare Odise Roshi, ishte një nga më të mirët në fushë në sfidën ndaj Lihtenshtejnit duke arritur të shënojë edhe golin e avantazhit për kuqezinjtë. Derisa, në konferencën për shtyp para gazetareve, fieraku ka folur për sfidën e datës 5 shtator ndaj Maqedonisë duke deklaruar se do të jetë një ndeshje agresive dhe tepër e vështirë. 26-vjeçari beson te një mrekulli për të kapur vendin e dytë në grup.
“E mbaj mend ndeshjen ndaj Maqedonisë, ka qene atmosfere jo e mire me thirrje raciste. Shpresoj që të martë të jetë ndeshje “fair play”. Ata kanë lojtarë cilësorë, i njoh 2-3 lojtarë. Kanë marrë 3 pikë kundra Izraelit dhe do të jetë një ndeshje shumë agresivë. E rëndësishme është të marrim 3 pikë, por dhe 1 pikë do të na kënaqte”, u shpreh Roshi. Sa i përket ndeshjes me Lihtenshtejnin u shpreh i lumtur pas ndeshjes, por tha se më rëndësi se goli ka fitorja e skuadrës.
“Skuadra hasi vështirësi deri në momentin e shënimit të golit, ndërsa më pas gjithçka ishte më e lehtë pasi kundërshtari nuk po qëndronte më në mbrojtje. Falënderoj edhe trajnerin Panuçi për besimin e dhënë. Futbolli pranon edhe stolin. Unë bëj punën time dhe më pas vendos trajneri”, deklaroi mesfushori kuqezi.
Për sfidën me Maqedoninë ka folur edhe portieri Etrit Berisha. “Mbaj mend një miqësore kundër San Marinos. (Qesh) Tani nuk më kujtohet, me siguri që ka pasur por sot ia arritëm me të vërtet që të luajmë shumë mirë në mbrojte dhe gjithë ekipi luajti shumë mirë. Ishte e vështirë t’i depërtonim edhe pse krijuam shumë raste për gol, na mungoi konkretizimi në fund. Tani kemi një kundërshtar që shquhet për lojën sulmuesi dhe duhet të përgatitemi shumë mirë. Kanë individë kualitativ që mund të bëjnë diferencën ndaj duhet të mobilizohemi dhe mos pësojmë gol”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, Mërgim Mavraj pret me entuziazëm ndeshjen me Maqedoninë dhe thotë se kjo nuk është thjeshtë ndeshje futbolli. “Pika kyçe në këtë ndeshje është që luajmë në Maqedoni, për vëllezërit tonë që jetojnë në Maqedoni. Kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por ka rëndësi edhe nga zemra e njerëzve që na ndjekin. Besoj se atje do të jenë shumë shqiptarë që na përkrahin, nga ana ime më ka ngel hatri që nuk luajmë në Shkup. Por do të jemi edhe më të fortë, siç kemi qenë më herët”, deklaroi Mavraj.
Me këtë fitore, kombëtarja ngjitet në kuotën e 12 pikëve në Grupin G dhe përgatit e qetë udhëtimin drejt Strumicës , ku të martën në orën 20:45, kuqezinjtë e Kristian Panuçit premtojnë një tjetër 90 minutësh të luftuar, me shumë kurajo dhe guxim ndaj përfaqësueses së Maqedonisë.
450 tifozë kuqezi në stadiumin e improvizuar në Strumicë
Shqipëria do të luajë përballë Maqedonisë në Strumicë, në një ndeshje ku nuk do të mungojnë tifozët kuqezi, pasi sipas “Supersport” rreth 450 mbështetës shqiptarë do të jenë të pranishëm në kwtw përballje. Kjo është shifra zyrtare e tifozëve të Kombëtares që nuk do të mungojnë në stadiumin me kapacitet prej 6,500 vendesh dhe që është rinovuar vetëm gjatë muajve të fundit. Me argumentin e rrezikshmërisë së konflikteve etnike që paraqiste fakti nëse ndeshja me Shqipërinë do të luhej në Shkup, por edhe me pretendimin se po promovojnë ekipin përfaqësues në të gjitha zonat e vendit, vendimi i maqedonasve në fakt synonte kufizimin e tifozëve shqiptarë. Për herë të parë në 23 vjet Maqedonia do të luajë një ndeshje kualifikuese larg Shkupit, ndërsa stadiumi “Mlladost” i Strumicës është rinovuar në mënyrë artificiale, duke u klasifikuar në kategorinë e tretë të UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare. Vetëm pak kohë më parë ky ishte një impiant i denjë për ligat më të ulëta të futbollit. Përveç punimeve në tribunën VIP dhe atë të gazetarëve, tribunat janë zgjeruar. Për të realizuar këtë janë përdorur struktura prej çeliku, ndërsa në të gjitha tribunat janë vendosur ulëse të reja.