Mërgim Mavraj është shprehur i bindur se Kombëtarja shqiptare mund të arrinte fitoren ndaj Maqedonisë, por për këtë i mungoi guzimi të dilte përpara, sidomos në pjesën e parë të lojës.
“Besoj se mund ta realizonim këtë dëshirë dhe ëndërr. Por në pjesën e parë nuk kishim guxim për të shënuar, nuk kishim guxim të mbanim e qarkullonim topin, t’i krijonim vështirësi kundërshtarit”, tha ai.
“Kur nuk ke guxim është më e vështirë, goli që bëmë ishte i papritur, pasi shënuam duhej të qarkullonim më mirë, të krijonim vetëbesim, t’i krijonim vështirësi kundërshtarit. Pastaj do mbyllej ndeshja, nuk m’u duk si penallti, por ndoshta presioni i tifozëve ndikoi pak”, vazhdoi Mavraj.
Ai e kritikoi gjyqtarin por edhe sjelljet e lojtarve kundërshtarë.
“Nuk e di pse caktojnë një arbitër që i dridhej buza duke folur me ne. Nuk janë gjyqtarët e duhur për këtë situatë. Isha afër lojtarëve maqedonas dhe u thashë se janë për Hollywood, sidomos kartoni i parë. Shumë qesharake, UEFA duhet të mendojë ca gjëra, të mendojë më mirë për gjyqtarin në këto ndeshje”, u shpreh Mavraj.
“Sot kemi luajtur edhe për pikë, edhe për renditje, edhe për tifozët. I falënderoj nga zemra në emër të ekipit, fantastikë që na përkrahën, na u bë zemra mal kur i dëgjuam. Tani ndoshta e dimë pse iu dridh buza gjyqtarit”, përfundoi qendërmbrojtësi i Shqipërisë.