Youssoufa Moukoko tashmë është duke lënë gjurmët e tij në futbollin gjerman, shkruan e përditshmja spanjolle “Marca”. 15-vjeçari është talenti i fundit që ka ardhur nga ekipet zinxhirë dhe është duke u stërvitur me skuadrën e parë që prej janarit. Që prej kalimit të tij në ekipin e parë të Dortmundit, Liga Gjermane e Futbollit është detyruar t’i ndryshojë rregullat e saj. Para Moukokos, lojtarët nuk mund të bënin debutimin me ekipin e parë në Bundesligë deri në moshën 16 vjeç e gjysmë. Sidoqoftë, kjo moshë minimale është ulur në 16 vjeç. Nuri Sahin momentalisht mban rekordin si debutuesi më i ri në Bundesliga, derisa kishte luajtur për Dortmundin me 16 vjet, 11 muaj dhe 1 ditë mbi supe. “Ai e ka atë që duhet për të arritur nivelin më të lartë”, ka thënë koordinatori i të rinjve te Dortmundi, Lars Ricken, derisa fliste për Moukokon.
Adoleshenti i lindur në Kamerun është duke stërvitur me ekipin e parë në parapërgatitjet për edicionin e ri, por ideja është që ai të qëndrojë me ekipin U-19 në sezonin e ardhshëm. Derisa luante për ekipin U-17, Moukoko kishte realizuar një rekord prej 90 golash në 56 ndeshje, para se të realizonte 34 gola në 20 ndeshjet e para me skuadrën U-19. Ai kishte debutuar me ekipin U-17 dhe U-16 të gjermanëve qysh në moshën 12-vjeçare. “Ai është një talent i jashtëzakonshëm dhe ne duam që ai të mësojë se si të stërvitet dhe të luajë me të rriturit”, tha drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc në nëntorin e kaluar.