Nxënësit thonë se të qenit maturantë gjatë kohës së pandemisë është shumë më e vështirë, sepse përveç mësimit online, nuk do të shijohet edhe mbrëmja e maturës
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 prill – Mbarimin e shkollës së mesme, ashtu si gjenerata e kaluar – edhe kjo gjeneratë do ta mbajë në mend gjatë kohë. As kjo gjeneratë, për shkak të pandemisë, nuk do të ketë mundësi të mblidhet dhe ta shënojnë Natën e Maturës me shokët dhe shoqet e tyre të shkollës. Edhe këtë vit, si vitin e kaluar, në vend të festimeve dhe natës së maturës, do të mbahet në mend vetëm fotografia në albumin e tyre. Nxënësit thonë se të qenit maturantë gjatë kohës së pandemisë është shumë më e vështirë, sepse përveç mësimit online, nuk do të shijohet edhe mbrëmja e maturës. Edona Sulejmani, nxënëse e shkollës së mesme “Nace Bugjoni” në Kumanovë, thotë për gazetën KOHA se situatën në të cilën po jetojmë, është shumë e rëndë e veçanërisht për nxënësit, pasi po bëhet një vit që kur nuk e kanë parë klasën dhe bankat shkollore.
“Ndjekja e mësimit nga distanca është përjetuar keq nga të gjithë nxënësit, sepse qëndrimi larg nga njëri-tjetri, por edhe adaptimi me metodën e re të të mësuarit, për një kohë të gjatë do të ndikojë negativisht te të gjithë ne”, thotë ajo. Edona shprehet se jeta e tyre normale është kthyer tashmë në një jetë virtuale , pa dëshirën e tyre. Sipas saj, vetëm momentin e përshëndetjes me profesorët – “maturantët pandemik” e kanë më të lehtë, sepse gjysmën e ndarjes nga ata tashmë e kanë përjetuar dhe siç shprehet, ndarjen përfundimtare që do të vijë shpejtë – do të menaxhojnë pak më lehtë. “E fundit, por jo më pak e rëndësishmja – është edhe mbrëmja e maturës, të cilën nuk do të mund ta shijojmë. Për katër vite radhazi kemi pritur fundin që të gjithë atë monotoni dhe ngarkesë mësimore ta zbrazim nga vetja duke festuar, por të vijë fundi dhe të mos kesh atë për të cilën ke pritur kaq shumë, nuk besoj se ka ndjenjë më të vështirë për maturantët. Prapë se prapë, ne ende jetojmë me shpresën rinore se gjendja pandemike do të kalojë dhe do të vijë koha që ta realizojmë ëndrrën tonë prej katër vitesh”, thotë Edona.
Edhe Jeta Idrizi, nxënëse, tregon se gjendja me pandeminë e virusit korona ka shuar shumë ëndrra dhe ka ndarë shumë shok dhe shoqe nga njëri-tjetri. Ajo thotë se kishin planifikuar shumë gjëra për të kaluar së bashku me shokët, veçanërisht gjatë vitit të fundit. “Ne nuk jemi si të tjerët, ne jemi gjeneratë më ndryshe. Jemi ata qe nuk patëm mundësi të çmallemi dot me shoqërinë e mësimdhënësit. Gjenerata jonë do të jetë po ajo që nuk do të ketë mundësi të festojë mbrëmjen më të rëndësishme – maturën”, deklaron ajo. Nën shoqërimin emocioneve, Jeta shtoi se gjendja emocionale e tyre ka ndryshuar shumë, tërë këto vite kanë ëndërruar fundin dhe natën e maturës dhe kur ajo u afrua – të njëjtën nuk mund ta shijojnë.
Nga ana tjetër, Çlirme Saiti, maturante e shkollës së mesme “Kiril Pejqinoviq” në Tetovë, ka deklaruar se ky vit – për maturantët erdhi më ndryshe se vitet e tjera, pasi situata me virusin korona ka shkalluar jashtë normales dhe gjithçka duhet të ndërtohet në suaza të këtij normaliteti të ri. “Maturantët këtë vit nuk do të kenë mundësi të festojnë si vitet tjera dhe padyshim që do të mbetet një peng për të gjithë ne, sepse mbrëmja e maturës është diçka që nxënësit e presin me padurim. Këtë do ta kujtojmë si një periudhë të zymtë e cila mori një pjesë të madhe nga gëzimi jonë”, u shpreh ajo. (koha.mk)