Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 korrik – Rezultatet e maturës shtetërore, sipas suksesit që kanë treguar nxënësit në provimet e qershorit, nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim domethënës, të paktën sa u përket mesatares së notave. Madje, nota mesatare e provimeve të këtij viti ka shënuar një rënie të lehtë nëse e krahasojmë me mesataren e njëjtë të vitit të shkuar. Qendra Shtetërore e Provimeve, ka bërë të ditur se nota mesatare e provimeve të maturës shtetërore për vitin shkollor 2016/2017 është 3.39, ndërkaq para një viti (2015/2016), kjo mesatare ishte 3.42. Mirëpo, nëse sivjet është shënuar rënie e lehtë e notës mesatare të maturës shtetërore, vitin e kaluar patëm një ngjitje gjithashtu të lehtë të notës mesatare të fituar nga provimet e maturës shtetërore e krahasuar edhe kjo me një vit përpara saj, me vitin shkollor 2014/2015 kur maturantët treguan sukses mesatar të notave prej 3.37.
Suksesi më i dobët i treguar ndonjëherë i nxënësve të shkollave të mesme në provimet përfundimtare, të njohura si provimet e maturës shtetërore, është ai i vitit shkollor 2010, kur mesatarja e notave të gjitha provimeve të maturës ishte 2.97. Ndërkaq, në pesë vitet e fundit, suksesi më i dobët u shënua në vitin 2012 me mesatare 3.09. Në vijim të kësaj, e përbashkëta e të gjitha viteve të mëpastajshme, është se matura shtetërore në Maqedoni, nuk ka arritur të ngjitet asnjëherë deri te nota katër. Pra, nxënësit assesi të lëvizin nga treshi e, që në shkallën e vlerësimit të dijeve të nxënësve është i barabartë me “mirë”, por jo edhe me “shumë mirë” apo “shkëlqyeshëm”. Vlen të theksohet se provimet e maturës shtetërore bëhen me zgjedhjen e vetë nxënësve. Në përjashtim të lëndës nga gjuha amtare, të cilën nxënësit nuk kanë mundësi ta zgjedhin, por duhet t’i nënshtrohen provimit për atë gjuhë në të cilën kanë ndjekur arsimin e mesëm katërvjeçar, dy lëndët tjera janë me mundësi zgjedhje. Për provimin e dytë, nxënësit duhet të zgjedhin mes matematikës ose gjuhës angleze, ndërsa për provimin e tretë kanë listë më të gjatë lëndësh, të cilat i kanë mësuar gjatë katër viteve të shkollimit dhe mund të zgjedhin cilëndo prej tyre.
Për provimet e maturës shtetërore në afatin e qershorit, sikurse bëjnë të ditur nga QSHP, sivjet janë paraqitur gjithsej 16.426 maturantë. Rezultatet e provimeve, janë publikuar të mërkurën nëpër vendet e posaçme të shkollave si dhe në mënyrë elektronike në faqen zyrtare “matura.gov.mk”. Nxënësit që nuk janë të kënaqur nga nota e provimeve dhe që dyshojnë se u është bërë ndonjë padrejtësi, mund të parashtrojnë ankesa në komisionet përkatëse të cilat janë ngjirur nëpër shkollat e tyre me atë që pas kësaj shkollat t’i dorëzojnë në QSHP. Afati i paraqitjes së ankesave është data 10 korrik, deri në orën tre të pasdites. (koha.mk)