Matura u del sa një dasmë!

Qefser ABDYLI

Shkup, 13 maj – Afrohet periudha kur nxënësit e vitit të katërt do të festojnë mbarimin e arsimit të mesëm. Matura sjell gëzim të madh dhe lehtësim për maturantët , të cilët përveç se bëhen të rritur dhe përfundojnë fazën e arsimit, duhet të bëjnë një hap përpara në jetën e tyre, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, euforia gjatë kësaj periudhe shkakton edhe kokëdhembje për shumë prindër. Organizimi dhe përgatitjet e një maturanti kushtojnë sa një pagë mujore, të cilën secili prind nuk mund ta sigurojë. Shumica e maturantëve dinë të ekzagjerojnë dhe me dëshirat se si të fësojnë dhe si do të duken për natën e maturës.

Psikologët theksojnë se ahengjet e maturave që moti e kanë humbur kuptimin si festim i provimit të pjekurisë dhe janë shndërruar në diçka krejtësisht ndryshe, si defile mode. Vrapimi pas fustaneve, limuzina, zbrazja e buxhetit familjar dhe konkurrenca në mes të familjeve me atë se cili fëmijë më bukur do të duket, sot janë karakteristikat kryesore për një mature. Tani më natës së maturës i paraprinë konkurrencë e madhe në kërkim të veshjes ideale, organizim të ahengjeve në shtëpi, por edhe rezervimet për kremtime në kafene dhe restorante, rezervimet për grim dhe frizura për vajzat etj. Shpenzimet për natën e maturës mund të arrijnë shifër katër-shifrore në euro. “Për fustanin e vajzës time nuk kemi shpenzuar shumë. Materiali i blerë bashkë me qepjen na ka kushtuar rreth 50 euro. Këpucët janë 25 euro, çanta 20 euro. Për grim kemi ndarë 45 euro, 30 euro për thonjtë. Për kremtim në restorant me rreth 40 njerëz kemi ndarë rreth 500 euro, ndërsa 150 euro na nevojiten neve për rregullim. Llogaritja jonë e përafërt thotë se do të shpenzojmë gjithsej rreth 850 euro”,  tregon nëna e një maturanteje. Tani është në trend edhe blerja e dhuratës për partnerin e natës së maturës, kështu që edhe kjo duhet të llogaritet nga buxheti familjar. Për shumicën e maturantëve nata e maturës është një prestigj. Nëna e një maturanti tjetër, që gjithashtu kërkon të mbetet anonime, sqaron se kanë pasur grindje në shtëpi për shkak se djali duhet të ketë veshje të brenduar, për të cilën familja nuk ka patur mundësi. “Ne shpenzuam 250 euro për këpucë të brenduara, por si t’ja dalim deri në fund të muajit. Gjatë jemi sqaruar dhe argumentuar se në kremtimin e maturës nuk është më rëndësi se si di do të dukesh, edhe pse është e qartë se çdo i ri do të duket bukur. Por, mund të dukesh bukur edhe me më pak para. Do të kishim bërë një kremtim intim familjar, kurse jo dasëm për natën e maturës, siç bëjnë shumica”, thotë zonja nga Shkupi. Për ta organizuar maturën, viteve të fundit prindërit kanë filluar të marrin edhe kredi, ndërsa më pas u duhen vite që t’ia kthejnë paratë bankës. Psikologët që i ndjekin këto trende vlerësojnë se kremtimi i natës së maturës që moti nuk është sinonim i pjekurisë. “Mënyra se si festohet matura është bërë dekor dhe atmosferë që pothuajse nuk ka asgjë të përbashkët më pjekurinë. Pjekuria do të thotë një shkallë më e lartë e përgjegjësisë, pavarësisë, dhe e drejta për zgjedhje individuale është shëndruar në vrapim pas fustaneve, limuzinave, zbrazje ta buxhetit familjar dhe konkurrencë në mes të familjeve se fëmija i kujt është veshur më mirë”, thotë një psikolog që punon në një nga shkollat e mesme të Shkupit. Kjo nuk ka të bëjë me esencën dhe kuptimin e kremtimit të maturës, thekson ai. “Koha është që shkollat, arsimtarët dhe prindërit e maturantëve të bëjnë një hap drejtë ndryshimit të modelit të kremtimit, duke i vënë theks kuptimit të vërtetë të asaj që kremtohet”, shton bashkëbiseduesi. Psikologët këshillojnë që maturantët mos të harrojnë të jenë vetja. Nata e maturës duhet të jetë një aheng, ndërsa jo frikë se a do të mund të kërcejnë me fustan të gjatë apo si do të durojnë këpucët me taka të larta.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara