Laura PAPRANIKU
Shkup, 18 maj – Në përjashtim të nxënësve që shohin se si t’i japin më shpejtë dhe më lehtë fund shkollimit të tyre, institucionet kompetente thuajse nuk interesohen aspak për Maturën Shkollore. Gjatë këtyre 10 viteve të aplikimit të maturës, si instancë e fundit e përfundimit të arsimit të mesëm, gjithë vëmendja fokusohet te Matura Shtetërore, ndërsa ka rënë thuajse nën hijen e saj matura shkollore, shkruan gazeta KOHA. Madje, as Qendra e Provime Shtetërore dhe as Qendra për Arsim dhe Trajnim Profesional nuk kanë të dhëna se sa është numri i nxënësve të cilët japin Maturën Shkollore dhe jo Maturën Shtetërore. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) gjithashtu nuk kanë të dhëna të sistemuara për këtë lloj mature, e cila dallon nga matura tjetër në shuam aspekte. Shkollat sigurisht që kanë të dhëna për numrin e nxënësve që përcaktohen për të dyja llojet e maturave të cilat aplikohen në Maqedoni, mirëpo sikurse pranojnë edhe vetë drejtuesit e këtyre shkollave, nuk kanë shumë telashe me realizmin e Maturës Shkollore.
Një prej mënyrave për të llogaritur numrin e nxënësve që i nënshtrohen Maturës Shkollore është numri i nxënësve që para tre viteve janë regjistruar në drejtime të arsimit të mesëm profesional tre vjeçare, si dhe dallimi mes numrit të përgjithshëm të maturantëve të një gjenerate të caktuar nga numri i nxënësve të asaj gjenerate që janë paraqitur të japin Maturën Shtetërore.
Konkretisht, nëse vitin shkollor 2016/2017 zyrtarisht në vit të katër numëroheshin 18666 nxënës, ndërsa provimeve të Maturës Shtetërore në muajin qershor kanë paraqitur t’u nënshtrohen 16426 nxënës, i bie që për Maturën Shkollore të jenë rreth 2130 kandidatë. Ky është vetëm një numër i përafërt dhe që nuk mund të llogaritet i saktë, edhe për disa arsye tjera. E para, jo të gjithë kandidatët që paraqesin provimet e maturës shtetërore janë nxënës të asaj gjenerate dhe jo të gjithë nxënësit e gjeneratës paraqesin provimet në muajin qershor.
Sidoqoftë, numri i nxënësve që përcaktohen për këtë formë të përfundimit të shkollimit të mesëm, nuk është aspak i vogël. Madje, nëpër shumë shkolla profesionale të njohura ndryshe si “shkolla zanati” pakicën e përbëjnë nxënësit që japin Maturën Shtetërore. “Të gjithë nxënësit e paraleleve profesionale tre vjeçare u nënshtrohen provimeve të Maturës Shkollore. Në shkollën tonë ky numër është shumë lartë”, pohon për KOHA, Vullnet Iseni, ndihmësdrejtor në Shkollën e mesme të makinerisë “8 Shtatori” në Shkup. Madje, plotëson Iseni, ka raste kur edhe nxënës të cilët kanë mësuar në drejtime katër vjeçare, në shkollën tonë, përcaktohen për Maturën Shkollore dhe jo për Maturën Shtetërore, janë kryesisht ajo kategori e nxënësve që nuk mendojnë të vazhdojnë më tej shkollimin. Matura Shtetërore, sikurse dihet, është “vizë” për regjistrimin në universitet, ndërsa ata që japin Maturën Shkollore, nuk e kanë këtë të drejtë. Dallimi thelbësor qëndron në mënyrën e vlerësimit të provimeve, interne ose eksterne. Kjo është edhe arsyeja përse Qendra e Provime Shtetërore, nuk ka të dhëna për maturantët që i nënshtrohen Maturës shkollore. Provimet e maturës në fjalë përgatiten dhe vlerësohen nga komisione të brendshme, të cilat formohen në shkollën ku nxënësi u nënshtrohet provimeve përkatëse, për dalim prej Maturës Shtetërore, provimet e së cilës përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendra për Arsim dhe Trajnim Profesional, kurse kontrollohen nga Qendra e Provime Shtetërore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara