Lothar Matthaus nuk e fsheh kurrë dashurinë e madhe që ka për Interin, por mbi të gjitha për Bayen Munchen, dy klubet e mëdha në të cilat ka shkëlqyer më tepër gjatë karrierës së tij. E kur vjen puna te Bayern, sidomos kur është në krizë, legjenda e Gjermanisë nuk i kursen fjalët për askënd, kushdo qoftë.
Edhe pse vetë ai pranoi pas ndeshjes së humbur 3-0 kundër Borussia Mönchengaldbach se kishte kohë që nuk shihte një Bayern kaq të shëmtuar, për të mbrojtur skuadrën thuajse “ka zbritur në fushë”. Topi i Artë i vitit 1990 ka kritikuar ashpër James Rodriguez, i cili ka dalë hapur kundër trajnerit Niko Kovac.
“Ai mërzitet kur nuk luan titullar, por kur zbret në fushë që nga minuta e parë luan sikur të mos jetë pjesë e skuadrës”, mësohet të ketë thënë Matthaus. “Lojtarët duhet të zbresin nga podiumi dhe të kuptojnë që këtu janë për t’i shërbyer Bayernit. Ky është një klub i kalibrit botëror dhe lojtarët duhet të jenë mirënjohës që bëjnë pjesë në të”.
Megjithatë, gjermani nuk kursehet në kritikat e veta ndaj skuadrës, duke analizuar zgjedhjet e bëra në merkato. “Harruan të rinovonin ekipin, ose ta bënin këtë pak më shpejt. Është një gabim që pak a shumë e kanë bërë të gjithë në vitet e fundit. Sigurisht që ka lojtarë të rinj që vlejnë për të ardhmen, por ndonjëherë duhet blerë një Griezmann apo Bale”, thotë Matthaus