Platforma për matje dhe norma nuk duhet të ketë si bazë dhe qëllim gjuajtjen e mangësive dhe gabimeve, por afirmimin e punës kreative në fushën e pedagogjisë dhe përgjatë këtij procesi eliminimin e mangësive
Nga Xheladin MURATI
Matjet dhe normat në pedagogji janë të lidhura me natyrën dhe karakterin e punës edukative dhe institucioneve pedagogjike. Sipas këtij gjykimi del edhe nevoja për konsolidimin dhe ndërtimin e tyre.
Shtrohet pyetja: A ka matje dhe norma në pedagogji? Kjo është pyetje dhe çështje qenësore për vetë shkencën dhe zbatimin e tyre në praktikën pedagogjike. Në pedagogji ka matje dhe norma. Në vazhdim do të përpiqemi të elaborojmë nevojën për matje dhe norma në pedagogji, mbase ato kanë funksione të përcaktuara me një rol gjithnjë e më të spikatur e konkret. Pedagogjia duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë në një bazë të fortë matjeje dhe strukturë të normave, si brenda vetes, ashtu edhe në raport me shoqërinë e me institucionet e tjera pedagogjike. Pedagogjia është një nga shkencat e rëndësishme të shoqërisë mbase ajo studion çështjet e edukatës që nënkupton elementin qenësor të njeriut. Nga kjo rëndësi buron edhe domosdoshmëria e orientimit dhe e matjes. Matjet janë garantim i zhvillimit normal të proceseve të edukimit mbase nënkupton praninë e atributeve humane dhe normave të domosdoshme si indikator krahasimi. Nga vetë fjala kuptohet se në pedagogji matjet dhe normat janë të ndërthurura me njëra-tjetrën.
Pedagogjia duhet orientimin dhe vizionin e saj ta fokusoj në matjet esenciale dhe ndërtimin e normave. Matjet zbulojnë mundësi për zhvillim dhe organizim. Nga matjet ndërtohen edhe normat pedagogjike. Shumë procese e fenomene pedagogjike nuk mund të zhvillohen pa matje dhe pa norma. Ja disa norma të ndërtuara në bazë të matjeve, të cilat edhe pse janë tradicionale, megjithatë zbatohen në shkollën bashkëkohore. Këto janë:
– mosha e nisjes në shkollë e fëmijëve;
– fillimi, mbarimi dhe pushimet gjatë vitit shkollor;
– numri i ditëve të punës për një vit shkollor;
– numri i orëve për lëndët mësimore javore dhe vjetore;
– ngarkimi i nxënësve me orë mësimore brenda ditës dhe javës sipas klasave;
– zgjatja e orës mësimore dhe pushimet mes orëve;
– ngarkimi i arsimtarëve me orë mësimore;
– numri i nxënësve në klasë;
– madhësia e klasës dhe ndriçimi i saj;
– forma dhe lartësia e bankës dhe karriges;
– nota e nxënësit dhe shumë të tjera.
Këto dhe norma të tjera janë rezultat i matjeve në pedagogji dhe hulumtimeve të gjera longitudinale dhe transferzale. Mungesa e tyre sjell konfuzitet në organizimin dhe realizimin e punës pedagogjike në shkollë. Me matjet dhe ndërtimin e normave procesi pedagogjik orientohet dhe ato krijojnë rigorozitet, sepse mban parasysh rrethanat institucionale të veprimtarisë pedagogjike në institucionin shkollor, karakterin e shkollës si një institucion pedagogjik, moshën dhe aftësinë e nxënësve, kapacitetin intelektual dhe punues të tyre, veprimtarinë e kuadrit arsimor, jetën në shkollë e të ngjashme. Është për t’u vënë në dukje se ekzistenca e çdo norme pedagogjike presupozon jo vetëm ndikimin e saj në veprimtarinë konkrete dhe jetën institucionale të shkollës, por rrezaton edhe më gjerë në jetë. Hulumtimet u japin një fizionomi të re matjeve dhe normave. Ndërkaq, matjet dhe normat kanë si bazë krijimin e parametrave për zhvillim.
Në literature dhe në praktikën pedagogjike vërehet fakti se matjet janë anashkaluar, për arsye të kuptueshme. Sot matjet janë element përbërës për të zhvilluar dhe për të ecur përpara. Matjet janë dukuri e njohur, e nevojshme dhe e paevitueshme në veprimtarinë dhe proceset pedagogjike. Matjet duhet të zbatohen duke mbajtur parasysh atributet social-pedagogjike të edukatës dhe duke i kombinuar atë me aftësitë e organizimit dhe të drejtimit të proceseve pedagogjike, arsimore, edukative e të ngjashme. Në arsim bëhen edhe matje edhe vlerësime, mbase të dyja synojnë ngritjen e cilësisë dhe përparimin e punës pedagogjike. Arsimtarët nuk kanë vizion të qartë se si duhet të bëhet matja. Matjet janë pjesë përbërëse e arsimit. Në fakt ky mekanizëm ka qenë gjithmonë i pranishëm por në forma, nivele dhe përmbajtje të ndryshme.
Matjet në pedagogji burojnë nga zotërimi dhe kontrolli mbi rrjedhën e proceseve. Në fakt matjet në pedagogji luajnë rol të rëndësishëm në disa drejtime: së pari, me matje mund të konstatohen se cilat janë kompetencat e saj ndaj edukimit, së dyti, në ç’masë pedagogjia është sovrane në drejtimin dhe organizimin e edukimit dhe së treti, në ç’masë edukimi i nënshtrohet kompetencave të pedagogjisë. Një vend të veçantë duhet të zënë në matjet dhe normat pedagogjike vlerësimi i parametrave të pedagogëve (mësuesve, arsimtarëve, edukatorëve), sidomos niveli dhe formimi i tyre pedagogjik dhe profesional. Në këtë mënyrë do të arrihet në përfundime të drejta edhe përsa i përket motiveve të mobilitetit profesional të pedagogëve, nëse ky mobilitet ka në themel aftësitë posaçërisht aftësitë për tu vënë në funksion të zhvillimeve të reja arsimore si kurrikulare, didaktike, metodave, teknikave dhe qasjeve metodologjike në mësim. Njëherësh aty përfshihen përgatitjet e tyre profesionale që janë faktor shtysë për sukses dhe përparim të mësimdhënies. Gjithashtu, matjet dhe vlerësimet në arsim përfshijnë edhe aspekte të tjera të veprimtarisë si për shembull, statusin pedagogjik të arsimtarit, prestigjin që arsimtari ka dhe që ka fituar e gëzon në shkollë dhe rrethet profesionale, modelet që ka ndjekur arsimtari në formimin e mobilitetit pedagogjik, karriera e tij pedagogjike. Pavarësisht se vlerësimi, vetëvlerësimi është një koncept abstrakt dhe është vështirë që të maten saktësisht, ato megjithatë duhet të ndodhin, sepse ofrojnë indikator për zhvillimin dhe përsosjen individuale.
Thjesht, matjet dhe normat kanë për qëllim dhe synojnë që çdo pedagog të fiton një atlas pedagogjike apo profilin e tij pedagogjik që ka krijuar me veprimtarinë dhe karrierën e tij. Mirëpo, në praktikën e shkollave tona mungon platformë për realizimin e matjeve dhe normave. Platforma që do të ishte gjithëpërfshirëse duhet të mbështetet në standarde që është një problem më i madh. Nuk mjaftojnë vetëm standardet profesionale që zbatohen në përputhje me ligjin por edhe ato të dijes informale, ndërkaq arsimtarët kanë nevojë edhe për stimul. Në fakt matjet dhe normat esenciale e kanë stimulimin e arsimtarëve për punë më cilësore. Bazuar në dokumente dhe praktikën arsimore shkollat tona përballen me disa problem, siç janë: infrastruktura, politika arsimore, klasifikimi i shkollave, ndërtimi dhe hartimi i kurrikulave… Platforma për matje dhe norma nuk duhet të ketë si bazë dhe qëllim gjuajtjen e mangësive dhe gabimeve, por afirmimin e punës kreative në fushën e pedagogjisë dhe përgjatë këtij procesi eliminimin e mangësive. Nga sa thamë më lart del të konkludohet se për të gjykuar karakterin e veçantë të matjeve dhe normave në pedagogji, çka janë një nga faktorët që ndikojnë në organizimin pedagogjik të institucioneve, në përzgjedhjen e mundësive apo detyrimeve që e bëjnë pedagogjinë bashkëkohore niset nga dy premise themelore: nevoja për ndryshim dhe adaptimi funksional ndaj risive dhe sfidave shkencore. Këto premise janë në të njëjtën kohë dy prej kërkesave themelore të reformimit të saj. (koha.mk)