Mbreti Zog ka pasur gjashtë motra. Ato ishin Princesha Adile, Princesha Nafije, Princesha Senije, Princesha Myzejen, Princesha Ruhije dhe Princesha Maxhide. Me rritjen e rrufeshme në karrierë të mbretit Zog dhe me vendosjen e tij në krye të mbretërisë shqiptare ato luajtën një rol të madh jo vetëm në jetën e tij por të gjithë shqiptarëve. Mbreti Zog duke qenë se vinte nga një familje e njohur patriarkale nga Burgajeti i Matit ishte shumë i lidhur me familjen e tij dhe motrave u dha detyra dhe rol të madh në mbretërinë e tij. Duke qenë se ndërmori reforma të mëdha për modernizimin e vendit ai dha shembullin e parë nëpërmjet motrave. Ato u bënë promotor i ideve të tij përparimtare. Para se të mbërrihej deri këtu, ata kishin marrë mësime në piano, valle e gjuhë të huaj, si dhe bënë disa udhëtime në Evropën Perëndimore. Në vitet në vijim të Mbretërisë Shqiptare të Zogut, princeshat patën rol të veçantë publik dhe kanë përcjellë mesazhe të fuqishme dhe të guximshme për kohën. Me nxitjen e mbështetjen e të vëllait Mbretit Zog, ato u bënë ambasadore të kulturës evropiane në vendin ku tradita orientale ishte ende dominuese. Mjaft të diskutuara për pasionin e tyre ndaj modës, në kronikat e kohës ato përmenden si ndër gratë e para shqiptare që dolën në plazh me kostume banje evropiane. Kur mbreti ndaloi hixhabin në vitin 1937, ai dha për këtë shembull motrat e tij, të cilat u shfaqën në publik pa mbulesë dhe të veshura në mënyrë perëndimore si model për gratë e tjera. Pikërisht në fushatën që ato ndërmorën për modernizimin e gruas ishte dhe ky album i rrallë fotografik , të cilën po e përcjellim për ju.