Lotar Mateus komenton situatën e Bajernit të Munihut dhe Borusias së Dortmundit përpara nisjes së sezonit të Bundesligës. Gjatë një interviste për “Sport Bild”, kur legjenda e futbollit gjerman pyetet përse fituesit e tripletës nuk mund të shpallen sërish kampionë këtë sezon, thotë:
“Nuk e shoh një mundësi të tillë, sepse Bajerni do të jetë sërish kampion. Madje, unë shkoj edhe më tej. Sa superior dhe dominues e tregoi veten Bajerni i vitit 2020 në Bundesligë, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kampionatit. Ka një atmosferë brenda skuadre nën drejtimin e trajnerit Hansi Flik, të cilën unë nuk e kam përjetuar kurrë më parë në këtë klub, as me Jup Hajnkesin në vitin e tripletës 2013”, vazhdon më tej Mateus. Eksperti i “Sky” nuk shikon një dobësim të mundshëm të skuadrës, pavarësisht largimeve të mundshme të emrave të rëndësishëm.
“Me Tiagon Bajerni ndoshta do të humbasë një futbollist i cili ishte i rëndësishëm sezonin e shkuar, por unë mendoj se Korentë Toliso mund ta mbushë këtë hapësirë. Kampioni i botës me Francën më kujton Leon Goreckën, i cili e përfaqësoi shumë mirë Tiagon sezonin e shkuar”, vazhdon analizën e tij Mateus.
Sipas kampionit të botës 1990, konkurrentëve të Dortmundit u mungon diçka. “Borusia ka nevojë për më shumë lojtarë, më falni për shprehjen, bastardë. Nuk mund të fitosh asgjë vetëm me talent dhe lojtarë të rinj. Uli Henes (presidenti i nderit të Bajernit) nuk e kishte me të keq kur ai ia mohoi Dortmundit cilësinë për të qenë një rivale për titull sepse klubi dorëzon vazhdimisht lojtarët më të mirë të tij. Është e vërtetë që ti nuk do ta rrezikosh kurrë Bajernin në plan afatgjatë me këtë sjellje në politikën e transferimeve”.
Bajerni ka Leroi Sanen, Dortmundi Xhejdën Sançon. Nëse Mateusit do t’i lejohej që të bënte një zgjidhje si trajner, thotë se do ta kishte të vështirë. “Që të dy lojtarët janë të shkëlqyer. Ata mund t’i blesh që të dy verbërisht, pavarësisht se unë e shikoj Sançon pak më shumë të rrezikshëm, por është e rëndësishme që ta përdorësh një futbollist kaq të jashtëzakonshëm në mënyrën e duhur, në mënyrë që t’i marrësh më të mirën. Lysien Favre nuk e bëri gjithnjë këtë në rastin e Sanços sezonin e shkuar, veçanërisht në ndeshjen vendimtare kundër Bajernit”.
Dhe në lidhje me trajnerin zviceran, gjërat mund të shkojnë keq për trajnerin e Dortmundit, i cili e nis sezonin me një kontratë në skadencë: “Për shkak të incidenteve dhe deklaratave nga klubi në të shkuarën, besoj se Favre do të vihet në diskutim me humbjen e parë”, përfundoi Mateus.