Analizat e hulumtimeve thonë se përqindja e qytetarëve që janë të papërcaktuar dhe nuk dalin në zgjedhje, nëse kalkulohet në numra deputetësh sillet prej 10 deri 12. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se grupet e pavarura dhe të papërcaktuara ndonjëherë determinojnë edhe fituesin e zgjedhjeve
Destan JONUZI
Shkup, 28 qershor – Partitë politike kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Anketa e fundit i Institutit për hulumtime politike mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, flet se një numër i madh i qytetarëve nuk janë të përcaktuar ose nuk dinë se për kë do votojnë. Rezultatet e këtij hulumtimi thonë se 26.1 për qind e qytetarëve nuk do të votojnë për asnjërën nga partitë politike, 17.7 janë shprehur se nuk dëshirojnë të deklarohen për këtë temë, ndërsa 9.7 për qind e qytetarëve kanë thënë se nuk dinë se për kë do të votojnë. Rezultate të ngjashme të përqindjes së madhe të qytetarëve të papërcaktuar në vend tregon edhe hulumtimi i Qendrës maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe e Institutit “Societas Civilis”-Shkup, të realizuara në periudhën nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.
Në këto hulumtime më shumë të anketuar, 41.3 për qind kanë deklaruar se nuk kanë besim te asnjë politikanë, ndërsa 8.5 për qind kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen nëse do të votojnë në zgjedhjet e radhës parlamentare. Analizat e këtyre dhe hulumtimeve të ngjashme thonë se përqindja e qytetarëve që janë të papërcaktuar dhe nuk dalin në zgjedhje, nëse kalkulohet në numra deputetësh sillet prej 10 deri 12. Në anën tjetër sipas rezultateve nga Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve dalja e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare ka shënuar rritje graduale nga vitit 2002 e këndej. Dalja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 ka qenë 55.9% e numrit të përgjithshëm të votuesve, në 2008 – 57.06%, në 2011 – 63.48%, në 2014 – 62.26% dhe në vitin 2016 – 66.79% e numrit të përgjithshëm të votuesve, i cili zyrtarisht është 1.78 milion votues.
Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSD-Maqedonia) vlerëson se grupet e pavarura ndonjëherë determinojnë fituesin e zgjedhjeve. “Partitë mund të fitojnë shumë nga kjo masë e cila nuk është e përcaktuar se për kë do të votojë në zgjedhje. Do të them se grupet e pavarura ndonjëherë determinojnë fituesin e zgjedhjeve. Te shqiptarët dhe maqedonasit kemi elektorat që nuk vendos menjëherë, andaj partitë duhet të punojnë me anë të programeve dhe ofertave konkrete për dalje masive të kësaj shtrese në zgjedhje. Tani varret nga pikë-shenja se çka partitë do t’u ofrojnë votuesve të pa përcaktuar. Kohë nuk kanë shumë partitë që të humbin, andaj që nga kjo javë duhet të paraqiten në terren dhe media për të kapur sa më shumë votues”, deklaroi për KOHA, Ibraimi.
Ndërsa, ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se gjithmonë në zgjedhjet parlamentare votuesit e pa përcaktuar janë atë që mund të vulosin fituesin. Ai thekson se sipas statistikave të deritanishme në çdo vend por edhe tek ne, janë 20 deri në 30 për qind të votuesve të pa përcaktuar. “Kjo kategori e votuesve janë të heshtur dhe nuk deklarohen, por kontributin e tyre e japin në momentin e duhur. Nga premtimet e parealizuara, nga dëshpërimi i madh prej krizave të vazhdueshme politike dhe ekonomike, ka edhe një numër i caktuar i votuesve që abstenojnë. Nëse arrihet mobilizimi i këtyre dy kategorive që të marrin pjesë në zgjedhke, mendoj se votat e tyre dhe mërgimtareve do të jenë vendimtare për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve”, shprehet Xhelili.
Ndryshe, rezultatet e cikleve zgjedhore nga viti 2002 e këndej flasin për ngritje rënie të partive politike kryesore në Maqedoni. VMRO-DPMNE-ja opozitare ka rritje më të theksuar të votave në krahasim me 18 vite më parë: në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 ka numëruar rreth 300 mijë vota, kurse në zgjedhjet e fundit të vitit 2016 – rreth 450 mijë vota. LSDM ka një rënie prej rreth 60 mijë votash në krahasim me vitin 2002, njëjtë si edhe BDI-ja, kurse PDSH ka shënuar rënie prej 35 mijë votash. BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, si parti të dala nga BDI dhe PDSH, për herë të parë në zgjedhje parlamentare kanë marrë pjesë në vitin 2016: e para ka marrë rreth 58 mijë vota, kurse e dyta rreth 35 mijë vota. Pas këtyre zgjedhjeve, BESA u nda në dysh, dhe nga kjo parti doli Alternativa, kurse nga Aleanca për Shqiptarët si koalicion doli RDK-ja. Në zgjedhjet e 15 korrikut ASH dhe Alternativa do të garojnë si një koalicion, BESA në koalicion me LSDM-në, ndërkohë BDI dhe PDSH do të garojnë të vetme.
15 KOALICIONE DHE PARTI ME 1598 KANDIDATË
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1598 kandidatë. Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të realizohet tre ditë, ndërsa dita e zgjedhjeve do të vazhdohet për dy orë dhe do të zgjasë nga ora 19 deri në orën 21. Më 13 korrik do të votojnë personat të cilët janë në karantinë shtëpie për shkak të testit pozitiv me Kovid-19 dhe personat të cilëve u është caktuar masa vetizolim me vendim nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar. Më 14 korrik të vitit 2020 do të votojnë personat e sëmurë dhe të pamundur, si dhe të sëmurët kronikë dhe personat e tjerë të cilët konform Kodit Zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Në ditën e zgjedhjeve, më 15 korrik, vendvotimet do të hapen në orën 7, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21, dy orë më gjatë se zakonisht në zgjedhjet paraprake kur vendvotimet mbylleshin në orën 19. (koha.mk)