Emin AZEMI
Përfaqësimi i interesave politike të shqiptarëve po shkon duke u shpërnda në më shumë faktorë, kurse ata që i kanë në agjendat e tyre këto interesa të mos e bëjnë këtë vetëm sa për të arkëtuar ndonjë votë. Madje te subjektet shqiptare kjo intencë shkon edhe përtej nocionit votë, sepse sa më shumë që të kalkulohen matematikat zgjedhore, aq më e grimcuar del ideja e përfaqësimit politik të shqiptarëve
Përfaqësimi i interesave politike të shqiptarëve po shkon duke u shpërnda në më shumë faktorë , përfshi grupe e individë të ndryshëm. Në demokraci kjo quhet legjitime, kurse relevanca e këtij përfaqësimi është varur shumë nga fuqia elektorale që ka dalur pas zgjedhjeve. Në këto shtatëmbëdhjetë vjet të fundit ka rezultuar që BDI të ketë demonstruar në praktikë këtë fuqi, ndërkohë që garuesit tjerë, ose nga opozita i kanë mbrojtur interesat politike të shqiptarëve, ose kanë pushuar të jenë zëdhënës të këtyre interesave, për shkak të dobësimit të lidershipit të tyre në përfaqësimin e kauzave kombëtare. Shkëlqimi dhe rënia e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e shtetit, ka ndjekur një konstantë varshmërie nga faktorët e shumtë që e kanë determinuar cilësinë dhe kapacitetin e këtij përfaqësimi. Nga njëra anë, ka pasur faktorë joshqiptarë, që ndryshe janë kualifikuar si partnerë bashkëqeverisës, të cilët në momente rrethana të caktuara kanë bërë obstruime të ndryshme në dëm të realizimit të objektivave të paracaktuara për avancimin e statusit të shqiptarëve (rasti me zvarritjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe disa ligjeve normative). Në anën tjetër, kanë qenë vetë faktorët e brendshëm shqiptarë, të cilët, ose nga mosdija, ose nga neglizhenca, ose nga interesat konjukturale, nuk kanë qenë gjithmonë në nivel të pritjeve që kanë pasur qytetarët shqiptarë në përmbushjen e disa objektivave nga fusha e barazisë politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Por, ka ekzistuar edhe një konfuzitet e vazhdueshëm i korpusit politik shqiptar në Maqedoni, i cili nuk arriti të demonstrojë një unitet minimal në projektimin e disa linjave strategjike në zhvillimin mendor e veprues të politikave të caktuara arsimore, zhvillimore,ekonomike, sociale, të cilat do të merreshin për bazë në të gjitha platformat bashkëqeverisëse, pavarësisht faktit se cila parti shqiptare është në pushtet. Duke qenë kështu siç është situata me (mos)bashkëpunimin e brendshëm shqiptar, ne sot kemi kaq shumë prirje fragmentuese të opozitarizmit shqiptar. Në këto 29 vite pluralizëm politik në Maqedoni, politikanët shqiptarë nuk arritën ta kuptojnë një segment mjaft të qenësishëm në fushëveprimin e tyre: opozitarizmi brendashqiptar është i parëndësishëm dhe i panevojshëm kundrejt temave që duhet trajtuar si të përbashkëta. Por, është edhe një faktor tjetër, gati bashkëveprues në të gjitha proceset, por i cili nuk arriti të imponohet me fuqinë e ndikimit publik. Fjala është për intelektualët dhe pamundësinë e tyre për të qenë më të dukshëm në sferën publike, që do të ishte një alternativë mjaft e shëndoshë kundrejt politikave zyrtare të partive, të cilat për një apo arsye tjera, janë të detyruara të veprojnë brenda disa kallëpeve që ua imponon koha dhe rrethanat. Kur të merren si të përbashkët e të veçantë gjithë këta faktorë, del që shqiptarët në Maqedoni ende e kanë një problem madhor: mungesën e sensit për të projektuar të përbashkëtën brenda diversiteteve të caktuara politike, ideologjike e partiake. Për rrjedhojë, edhe në zgjedhjet e ardhshme, të proklamuara si të parakoshmshme, por mund të jenë edhe të rregullta, shqiptarët nuk po shkojnë me ndonjë qartësi veprimi politik, intelektual e civil. Në njërën anë kemi vrapin marramendës për të ‘pushtuar’ piramidën e pushtetit, dhe në anën tjetër kemi luksin e veprimit të çakorduar, thua se këtu jetojnë nja 150 milion shqiptar dhe nuk është problem nëse funksionojnë gjashtë, shtatë parti me ambicie e objektiva të ndryshme nga njëra tjetra. Sado që faktorët politikë shqiptarë mund ta mendojnë veten orbitë e interesave shqiptare, megjithatë situata nuk është më ajo kur konkurrenca politike ka qenë vetëm brenda këtyre faktorëve në avancimin e statusit të shqiptarëve. Tani në garë ka edhe faktorë të tjerë, madje edhe ndonjë parti nacionaliste maqedonase, e cila nuk heziton ta vendos flamurin shqiptar në tavolinën e liderit të saj, por edhe parti tjera, tek të cilët nuk mungon ideja e përfitimit të elektoratit shqiptar për interesa që ata i konsiderojnë të rëndësishme në ngritjen e tyre, ku votat e shqiptarëve kanë një domethënie përmbajtësore. Prandaj teza se përfaqësimi i interesave politike të shqiptarëve po shkon duke u shpërnda në më shumë faktorë, po bëhet gjithnjë e më aktual, kurse ata që i kanë në agjendat e tyre këto interesa të mos e bëjnë këtë vetëm sa për të arkëtuar ndonjë votë. Madje te subjektet shqiptare kjo intencë shkon edhe përtej nocionit votë, sepse sa më shumë që të kalkulohen matematikat zgjedhore, aq më e grimcuar del ideja e përfaqësimit politik të shqiptarëve.