Figura e masonëve dhe veprimtaria e tyre është ndër çështjet më të diskutuara dhe më delikate të trajtuara ndër vite, pikërisht për faktin se imazhi i tyre është i lidhur rrënjësisht me teori konspirative, sa i përket kryesisht kontrollit të botës dhe elitave vendimmarrëse në gjithë globin.
Gjithsesi, ajo çfarë ndodh brenda lozhave masone nuk është shumë e shpërfaqur në opinionin publik dhe një mister i brendshëm i takimeve dhe orientimit të mendimit mason e bën akoma më të vështirë për të deshifruar qasjen reale të tyre.
Albanian Post ka qenë brenda takimit të Unionit Masonik të Ballkanit, i cili u mbajt në Durrës, ku pati mundësinë të komunikonte mbi këto çështje me mjeshtër masonë dhe të zbulonte më shumë mbi identitetin e atij që perceptohet si kult mason, por që në realitet është një shoqëri masone.
Mjeshtri i Madh mason i Lozhës së Madhe Shqiptare Iliria, Raimond Todhe, na shpjegon fillimisht disa konspiracione të krijuara mbi figurën e masonëve, duke thënë madje se edhe ai vetë ka rënë pre e tyre.
“Kështu kam menduar dhe unë më parë, se ka konspiracion. Por, kur fillon lexon, e kupton se çfarë është me të vërtetë masoneria”, thotë ai për Albanian Post.
Më tej, Mjeshtri i Madh shtjellon se konspiracionet e sotme frymëzohen nga shkrimet e vjetra antike, duke përmendur Talmudin dhe Kabalan.
“Talmudi është ashtu si ka qenë shkolla e partisë në kohët e Enver Hoxhës dhe cilësohet si shkencë mbi shkencat. Kabhalah, nga ana tjetër, nuk kuptohet lehtësisht nga kushdo dhe duke qenë kështu, krijohen konspiracione nga njerëzit”.
I ftuar nga SHBA-të posaçërisht për takimin e Unionit Masonik të Ballkanit, vëlla Louis A. Daly, i cili është Mjeshtër i Madh i Lozhës së Madhe të New York-ut “Omega”, njëkohësisht edhe reporter i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Lozhave Masonike Liberale CLIPSAS, arsyeton se thelbi i gjithë konspiracionit, mbetet në themelet e edukimit.
“Është me rëndësi që të kemi edukim mbi të tjerët”, zbërthen Daly botëkuptimin e tij mbi çështjet masonike për Albanian Post. “Pra, po flas për kulturat këtu, sepse janë ato që ndeshen. Ne duhet të mendojmë për të ardhmen më shumë, sepse vetëm ajo mund të sjellë ndryshim”.
Daly, madje, sjell edhe një shembull shpjegues, nga vendi i tij i origjinës, Hondurasi.
“Unë, për shembull, jam nga Hondurasi. Fakti që atje nuk dihet shumë për masonerinë, e bën këtë të fundit të duket sikur është diçka e keqe. Por, nuk është kështu, ndaj unë fillova të loboj për hapjen e lozhave atje, në mënyrë që ato të mos mbeten sekrete dhe njerëzit të fillojnë t’i kuptojnë çështjet e masonerisë”.
Vëllai mason nga Greqia, Panagiotis Moutzourakis, i cili është President i Urdhrit Ndërkombëtar Masonik “Delfi”, është akoma më i hapur mbi konspiracionet.
Për Albanian Post, ai madje thotë se i respekton teoritë e ndryshme.
“Ne e respektojmë edhe konspiracionin që ka rreth nesh. Por konspiracioni nuk do shumë konceptim logjik të gjërave dhe është shumë e thjeshtë t’u shesësh masave histori konspirative. Kjo është e gjitha”.
Shembullin më kuptimplotë ndërkaq, na e jep Cuneyt Kalpakoglu, i cili është ish-Mjeshtër i Madh i Lozhës Liberale Turke dhe ish-zëvendës President i CLIPSAS.
Ai tregon sesi djali i tij, dëgjonte shumë shpesh teori konspirative në shkollë, nga bashkëmoshatarët e tij, mbi masonët dhe figurën e tyre të errët.
“Kjo ndodh, sepse njerëzit nuk kanë lexuar shumë për masonët”, thotë ai për Albanian Post.
Për këtë arsye, madje, dhe për çdo pyetje që njerëzit kanë për masonerinë, ai ka hapur edhe një faqe në internet, ku çdokush mund të pyesë e të marrë përgjigje.
“Vetëm unë mund të kem kthyer mbi 10 mijë email-e te personat që kanë dërguar pyetje”, vijon ai.
Teksa, për t’u kthyer te historia e djalit, duke qenë se teoritë që po dëgjonte dita-ditës bëheshin ezauruese, një ditë, ai “shpërtheu”.
“Nuk është e vërtetë kjo që thoni për masonerinë”, u tha ai shokëve të klasës.
“Po ti ku e di në është apo jo?!”, iu kthyen ata.
“Sepse babai im është kreu i Lozhës Masone Liberale Turke”, i qe përgjigjur djali, duke i lënë ata të shtangur.
Ndaj, për këtë arsye, nuk ka shumë arsye për të mbajtur gjëra të fshehta, sipas Kaplakoglu-t.
Ky është veli që e rrethon figurën e masonëve në publik.
Mirëpo, sipas vetë atyre, nuk ka ndonjë gjë të madhe për të mbajtur sekrete.
“Praktikisht nuk ka shumë sekrete masoneria”, shpjegon Moutzourakis. “Librat tanë “sekretë” gjenden shpesh kudo. Ne preferojmë thjesht të jemi të rezervuar. Por, sekreti mason, nuk ekziston në të vërtetë. Masoneria nuk është shoqëri sekrete, por e rezervuar, e mbyllur”.
Këtu, ai përmend edhe çështjen e Kishës Katolike, e cila mendon se masoneria është ndonjë kult më vete. Por, sipas tij, veçse kult fetar nuk është masoneria.
“Te ne ka vend për të gjithë. Edhe për ateistët vetë. Ndoshta përpara 20 vjetëve s’ka pasur vend për ateistët. Por, sot e gjen vendin edhe ai që nuk beson në Zot ose krijues. Francezët e bënë të parët dhe ne vijuam”.
Gjithsesi, jo të gjitha lozhat janë kaq të hapura dhe mikse.
Ka lozha të cilat ndjekin rrymën konservatore të masonerisë të udhëhequra nga Lozha e Madhe e Anglisë, një ndër të cilat në territorin shqiptar është Lozha e Madhe e Shqipërisë të cilat e ruajnë traditën e anëtarëve vetëm burra dhe e mospranimit të grave në takimet e tyre.
Por, ashtu si ndodhi në mbledhjen e Unionit Masonik Ballkanik apo në shumë lozha të tjera liberale, të qenit miks është çelësi i bashkëjetesës.
Integrimi është arritur edhe me gjithëpranimin e organizatave masone, ku fjala bie ka nga ato, të cilat janë të anëtarësuara në organizata të mëdha botërore, si ato bamirëse dhe janë tërësisht të hapur, e pranuar.
Daly, po ashtu, e thotë se në masoneri nuk ka sekrete.
“Ka organizata me sekrete, por jo organizata sekrete”, shton ai. “Nëse ka sekrete në masoneri, atëherë unë nuk kam arritur ende në ato nivele ndoshta”.
Vijon…
Shënim: Ky është shkrimi i tretë i një cikli publikimesh nga Albanian Post mbi masonerinë në Shqipëri dhe Ballkan, takimin e Unionit të Lozhave Ballkanike në Durrës, interesave masonike, mënyrave se si ata janë të përfshirë në shoqëri dhe konspiracioneve rreth figurës së masonëve
/Albanianpost.com/