Pothuajse dy vjet pas incidentit të frikshëm që i ndërpreu karrierën futbollistike, por mund t’i kishte ndërprerë edhe jetën, Ryan Mason tregon pasojat të cilat do t’i vuajë përgjithmonë. Në janar 2017, Mason luante për Hull City – por ishte në huazim nga Tottenham – një ndeshje kundër Chelseat, kur në një dyluftim në ajër me Gary Cahill pësoi frakturë në kafkë. Ai u dërgua menjëherë në spital dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent pasi kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar jetën. Për futboll, nuk bëhet më fjalë.
Në një intervistë për “ForForTwo”, Mason shpjegon horrorin që ka përjetuar dhe pasojat që vuan. “Kam 14 pllaka metali në kokë, të mbajtura në vend nga 28 vida. Shenja që më ka mbetur në kokë është tepër e madhe dhe heqja e kapseve që u vunë fillimisht ishte diçka e pakëndshme”, tha Mason.
“E ndiej gjatë gjithë kohës se çfarë kam në kokë. Kur më dhemb koka është e tmerrshme. Të gjitha nervat në atë anë të kafkës ishin dëmtuar. Për rreth dhjetë ditë më ushqenin me lugë. Sa herë që lëvizja kokën më merreshin mend. Tre muajt e parë pas dëmtimit ishin më të tmerrshmit, ishte një sfidë e vazhdueshme të duroje”.