Qendra Mjekësore Sheba, ka dalë në përfundimin se ka pasur një rënie prej 65 për qind të shtrimit në spital të pacientëve të rëndë me astmë. Gjithashtu sipas kësaj qendre, ka pasur një rënie prej 45% të numrit të vizitave urgjente në dhomën e urgjencës së spitalit nga të sëmurët me astmë në 2020-n kundrejt vitit 2019. Profesoreshë Nancy Agmon-Levin, e cila ka kryer studimin, ka thënë për “The Jerusalem Post” se ajo beson se “maskat kanë bllokuar agjentët infektivë dhe polenin”.
Ajo është shefja e Njësisë së Imunologjisë Klinike të Sheba, Angioedemës dhe Alergjisë. Nancy-Agmon-Levin është shprehur se ekipi i saj ka dëgjuar komentet nga pacientët, që kanë thënë se kishin shumë më pak alergji këtë vit, në krahasim me vitet e mëparshme. “Ne menduam se kjo gjë ka ndodhur për shkak të mbajtjes së maskave, e menduam se si mund ta provonim idenë tonë”, ka shpjeguar ajo duke shtuar: “Ne kontrolluam referimet në departamentin e urgjencës për shkak të astmës, nga të cilat 80% në 90% të të gjithë pacientëve me astmë janë për shkak të alergjive”. E ndërsa kishte ulje kaq të mëdha në referimet e astmës, kishte vetëm rreth 10 për qind një rënie në referimet e përgjithshme të departamenteve të urgjencës gjatë së njëjtës periudhë.
“Po kështu, kur shikon tremujorin e parë të vitit, nivelet e ndotjes duken shumë të ngjashme me çdo vit tjetër”, tha ajo. Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë, alergjitë prekin 30 për qind të popullsisë izraelite. “Ju dilni jashtë gjatë Pashkës, kohë ku lulëzojnë bimë që janë shumë alergjike në Izrael, duke mbajtur maskë. E si pasojë shumica e poleneve nuk do të depërtojnë në hundën dhe gojën tuaj, kështu që do të keni shumë më pak alergji”, tha Agmon-Levin. Sipas saj, është një ide e mirë që mund të ulet përkeqësimi nga poleni me diçka që kushton lirë në krahasim me ilaçet, që madje japin edhe efekte anësore. Ky është studimi i dytë Izraelit i botuar mbi këtë temë.
Një raport i veçantë u lëshua në fund të vitit të kaluar nga Qendra Mjekësore Galilee dhe Universiteti Bar-Ilan që u botua në “Journal of Alergy and Clinical Immunology”. Ky studim tregoi se 40% e 215 infermierëve që kishin maska kirurgjikale ose maska N95, kishin më pak teshtitje dhe vuanin më pak nga rrjedhja e hundëve.