Tetovë, 4 gusht – Policia u shqiptoi 124 urdhër pagesa banorëve në rajonin më të gjerë të Tetovës të cilët nuk mbajtën maska mbrojtëse, që në pajtim me nenin 6 të Dekretit adekuat qeveritar nënkupton gjobë prej 20 eurove në kundërvlerë të denarit.
“Në periudhën prej 1 gushtit deri më 2 gusht janë shqiptuar 29 dënime. Ditën e ardhshme janë përpunuar 55 urdhër pagesa dhe 40 gjoba në 24 orët e fundit. Sektori për punë të brendshme Tetovë përgatiti urdhër pagesa kundërvajtëse të cilat parashohin dënime prej 20 eurove në kundërvlerë të denarit”, kumtuan nga zyra për marrëdhënie me opinionin pranë SPB Tetovë.
Prej 1 majit kur hyri në fuqi masa për mbajtje të detyrueshme të maskës mbrojtëse në rajonin e SPB Tetovë, përfshirë edhe komunat e Gostivarit dhe Tetovës, janë evidentuar gjithsej 6.876 dënime. Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Tetovës nuk ka vendime të reja për izolim përderisa kontrolle janë kryer tek 301 persona dhe nuk janë konstatuar parregullsi rreth respektimit të vendimit.