Rezultatet e shpallura nga Konkursi i sivjemë kanë zgjuar një sërë reagimesh që kanë të bëjnë me kriteret dhe keqpërdorimet e bëra! Nuk mund të mos reagojë ndaj disa padrejtësive që i vërejta kalimthi dhe nuk mund të them se duhet ta “mbyllim” gojën edhe kësaj radhe!
Është fakt se sivjet ka patur një numër të madh autorësh shqiptarë, projektet e të cilëve janë përkrahur, sidomos në sferën e Veprimtarisë Botuese, megjithatë duken shumë të tejdukshme lëshimet e mëdha që lënë të dyshohet në keqpërdorime! Këtë e mbështes në faktin se, nga njëra anë, njeriu mashtrohet se janë pranuar një numër i madh projektesh shqiptare, kurse nga ana tjetër, shumat e mjeteve që janë ndarë, flasin për diferenca qesharake, që qartazi të bëjnë të dyshosh për keqpërdorime! Kjo flet se vlerësimi i mjeteve financiare është bërë pa kritere të qarta dhe të arsyeshme! Konkretisht, për autorë fillestarë ose fare pak të njohur, janë ndarë shuma të mëdha prej 120 deri me 130 mijë denarëe, ndërkaq për autorë që kanë konkurruar me vepra serioze dhe me interes kombëtar, janë ndarë vetëm 80 mijë denarë!
Një dëshmi konkrete lidhet me rastin e projektit tim. Unë, për librin e Rita Petros (përkthim nga shqipja në maqedonisht), me 250 faqe, përkatësisht me 220 poezi (4 mijë vargje), kam kërkuar mjete prej 350 mijë denarësh, sipas kritereve të autorëve maqedonas dhe këtë shumë, Komisioni për vlerësim e ka minusuar për 82%! Pra, për librin “Kënga e turmës” janë ndarë 80 mijë denarë, që do të thotë 50 mijë denarë më pak se librat e autorëve fillestar! Shtroj pyetjen: cili ekspert do të më bind se me këto mjete mund të botohet ky libër?! Nga këto 80 mijë denarë, shtëpia botuese ALBAS duhet të paguaj honorarin autorial, honorarin e përkthyesit, të lektorit, honorar për kopertinën dhe faqosjen, si dhe shërbimet e shtypit! Po, çfarë kriteresh na qenkan këto? Me çfarë arsyetimi Komisioni solli një vendim të këtillë?!
Shtëpisë botuese i mbetet që të ankohet dhe, nëse nuk gjen mbështetje, do të heq dorë nga botimi dhe për këtë hap, do të prononcohemi publikisht!
Alush Kamberi, gazetar