“Monstra”, “Lagjja e Trimave”, “Almiri”, “Nikolla Mlladenov”… ishin vetëm një pjesë e premtimeve për të cilat pritej se me përgjimet e paligjshme, do të zbulohet e vërteta për këto raste. Edhe pas gjashtë viteve nga publikimi i të ashtuquajturave “bomba”, ndryshime në këto lëndë nuk ka. Ndërsa edhe Komisionet hetimore parlamentare që do të rishikonin disa nga këto procese gjyqësore të dyshimta, kanë mbetur në vendnumëro
Xhenur ISENI
Shkup, 26 janar – Hetim ndërkombëtarë për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës dhe për përleshjen e armatosur të policisë dhe grupit të Kumanovës në Lagjen e Trimave, si dhe për zbardhjen e vdekjes së Nikolla Mlladenov ishin pjesë e premtimeve të liderit të LSDM-së në vitin 2015. Atëherë, nga selia e partisë opozitare ishin publikuar audio-incizime në kuadër të projektit të ashtuquajtur “E vërteta për Maqedoninë” e që ishin marrë nga përgjimet e paligjshme, për të cilët sot iu gjykohet të akuzuarve – ish funksionarë të VMRO-DPMNE-së. Por, gjashtë vite më pas, argumente të reja dhe dëshmi për këto raste nuk dolën në sipërfaqe, së paku jo më shumë se dyshimet të cilat ishin me përgjimet e bisedave të qeverisë së atëhershme, shkruan gazeta KOHA.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2017 në opinion premtonte hetime ndërkombëtare për një pjesë të këtyre rasteve, siç thoshte, keqpërdorimin e organeve të drejtësisë për mbulimin e krimeve partiake. Aktualiteti i rastit “Monstra”, për të cilën këto ditë për së dyti herë pritet aktgjykim për të njëjtën vepër – “terrorizëm” për të njëjtit të akuzuar, i hapi edhe pyetjet se çfarë ndodhi edhe me rastet tjera për të cilat në fushatat zgjedhore – ishte premtuar hetim i ri për shkak të dyshimeve që i imponojnë përgjimet e bisedimeve. Por hetim ndërkombëtar për këtë rast nuk pati, siç kërkuan dhe premtuan LSDM dhe BDI, por edhe mbrojtja e rastit. Ndërsa përgjimet të cilat si dëshmi e re ishin arsyeja për përsëritjen e tërësishme të procedurës, siç potencoi fjalët përfundimtare prokurorja Fatime Fetai, nuk sollën ndryshim thelbësor në aktakuzë. Zaevi ndërkohë thoshte se për këtë rast ndodhen persona të pafajshëm në burg, por ditë më parë – reteroi të kishte thënë një gjë të tillë.
U PREMTUA, POR HETIM NDËRKOMBËTAR NUK PATI AS PËR “LAGJEN E TRIMAVE”
Hetim ndërkombëtarë nuk kishte as për përleshjen në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë në maj të vitit 2015, në të cilën humbën jetën tetë policë të njësisë speciale Tigrat dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa 42 persona mbetën të lënduar. Përleshja pasoi tre muaj pasi ish lideri i atëhershëm opozitarë, tani kryeministër – Zoran Zaev, filloi me publikimin e të ashtuquajturave “bomba”. Atëherë tre ditë pas përleshjes, dorëheqje dha ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.
Në 2015, Zaevi si lider i opozitës, deklaroi se përleshja në “Lagjen e Trimave” është vepër e Qeverisë së VMRO-së. “Mbetem në qëndrimin se ekzistojnë indikacione të fuqishme se kjo çfarë ndodhi në Kumanovë është montuar nga ana e pushtetit dhe ka lidhshmëri me pushtetin”, deklaroi Zaev në pres konferencë nga selia në Bihaçka në vitin 2015. Atëherë filluan edhe premtimet e LSDM-së opozitare për hetim ndërkombëtar. Në vitin 2017, LSDM u zotua se do formohet Komision anketues në Parlament. Por veçmë në vitin 2018, në përvjetorin e rastit, Zaevi tha se ekspertiza ndërkombëtare duhet të pres, aktgjykimi të mbetet në fuqi, gjegjësisht ti kalojë gjitha ankesat në gjykatat më të larta që më pas të vendosen përfaqësues ndërkombëtar si komentues. Mbrojtja në gjykatë vërtetonte se kanë njohur se në DSK ka biseda të përgjuara mes tanimë të ndjerit Mirsad Ndrecaj dhe zyrtarëve shtetërore të asaj kohe. Madje, edhe Agjencia për Zbulim potencoi se ka dëshmi të reja, raporton KOHA.
“Të gjitha sekretet për Lagjen e Trimave nuk janë groposur me vdekjen e udhëheqësve të grupit të Kumanovës Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj. Agjencia për Zbulim ka njohuri të reja, ndërsa analiza voluminoze për rastin është dorëzuar në Prokurorinë Publike”, deklaroi vitin e kaluar drejtori i Agjencisë për Zbulim, Erold Musliu. Por pas gjashtë vitesh nga ngjarja, lënda ka ngecur në procedurë të shkallës së dytë. Një vit të akuzuarit në rastin “Lagja e Trimave” presin nga Gjykata Supreme që ta rishikojë aktgjykimin e Gjykatës Penale, e cila u vërtetua edhe Gjykata e Apelit, por rasti ende nuk ka arritur deri në Gjykatën Supreme. Ndërkohë, të ashtuquajturat “bomba” filluan të publikohen nga Idrizova. Një pjesë të të dënuarve për këtë rast, kohë pas kohe publikojnë në rrjetet sociale nga një bisedë që të tregojnë se kanë qenë të mashtruar. Përleshja e armatosur në vitin 2015 përfundoi kur personat që mbijetuan iu dorëzuan policisë. Dy vite më pas, 33 anëtarë të grupit dhe bashkëpunëtorë të tyre ishin dënuar me disa vite burg për terrorizëm dhe organizim terrorist. Shtatë nga të dënuarit morën burg të përjetshëm, 13 të dënuar morën 40 vite burg, ndërsa të tjerët morën nga 12 deri më 20 vite burg. Ndërsa katër persona ishin shpallur të pafajshëm.
RASTI “ALMIRI”
Gjykata në Kumanovë vite më parë e dënoi me 6 vjet heqje lirie Boba Iliçin, autorin e vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu. Ndërkohë babai i Almirit, Sedat Aliu u dënua me 6 muaj burg, Abdulla Aliu, 9 muaj burg dhe Sami Demiri 9 muaj heqje lirie. Në rastin e Almirit vrasësi Boban Iliç që në fillim ishte i akuzuar për “vrasje”, më pas “shpëtoi” dhe aktakuza e tij u rikualifikua si “vepër e rëndë kundër sigurisë dhe njerëzve në komunikacion”, që si dënim parasheh katër vite burg. Ndryshimi i akuzës shkaktoi reagime të shumta dhe protesta popullore në Shkup. Megjithatë, ishte iniciativë e deputetëve të BDI-së për themelimin e një Komisioni parlamentar hetimor, i cili do të rishikonte procesin gjyqësor të Almir Aliut, ndërsa e njëjta iniciativë në Parlament u dorëzua më 22 mars të vitit 2018. Po kalojnë gati tre vite dhe ky Komision hetimor ka mbetur në vendnumëro.
Iniciativa për themelimin e Komisionit hetimor ose të Grupit Punues në Parlament, erdhi në kohën kur u bë rikualifikimi i lëndës për rastin e Almirit, me çka i akuzuari Boban Iliç, i cili akuzohej për veprën”vrasje”, tanimë ngarkohej me veprën “aksident trafiku, me pasojë vdekjen”. Deputetët e atëhershëm të BDI-së dhe avokatët e familjes Aliu, pas rikualifikimit të lëndës, realizuan një takim nga ku edhe doli ideja për këtë iniciativë që parashihte një grup pune ku do të përfshiheshin deputetët nga të gjitha grupet parlamentare, Ministria e Drejtësisë, MPB-ja, Avokati i Popullit dhe përfaqësues nga familja Aliu, e që kishte për qëllim të ofronte zgjidhje institucionale për të adresuar të gjitha paqartësitë lidhur me të.
Avokati mbrojtës i familjes Aliu, Asmir Alispahiç, tre vite më pas, për gazetën KOHA tregon se askush as nga përbërja e kaluar e as nga përbërja e tanishme parlamentare, nuk i ka ftuar të marrin pjesë në atë Komision, gjegjësisht se ky komision nuk ka mbajtur asnjë seancë. Ai thotë se kjo mbeti vetëm në letër dhe për këtë duhet të përgjigjen deputetët e BDI-së që ishin inicues të së njëjtës. “Më vjen mirë që po e aktualizoni këtë çështje. Mua dhe asnjë anëtarë nga familja Aliu askush nga Parlamenti nuk na kanë ftuar në ndonjë mbledhje të atij komisioni. Kjo mbeti veç në letër. Për këtë duhet të japin përgjigje Artan Grubi ose ndonjë deputet aktual i BDI-së”, deklaroi Alispahiç. Për këtë kërkuam përgjigje edhe nga ish deputeti, tanimë zv/kryeministri Artan Grubi, por edhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, por të njëjtët ishin të pakapshëm ndaj thirrjeve tona. Në Komisionin parlamentar hetimor për rishikim të procesit gjyqësor të Almir Aliut, sipas asaj që shkruhej atëkohë, do të shqyrtoheshin të gjitha elementet në të gjithë procedurën, përfshirë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe pjesëtarëve në procesin gjyqësor me qëllim të zbardhjes së të vërtetës.
Në projektin “E vërteta për Maqedoninë” mes bombave të para që tërhoqën vëmendjen e opinionit ishin edhe bisedimet e policëve të parë në shtet për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov. Vdekja e Mlladenov është mbyllur tashmë si aksident rrugorë, edhe përkundër deklaratave të Zaevit se është “vdekje e dyshimtë”.
DREJTËSIA E BRISHTË PËR SHQIPTARËT
Profesori universitar, Bashkim Selmani thotë se shikuar në prizmin e funksionimit të gjyqësorit në RMV, ka qenë dhe mbetet shqetësuese për ne shqiptarët – për arsye se politika sanksionuese gjyqësore gjithmonë ka pasur anim politik. Sipas tij, kur janë në pyetje shqiptarët, gjithmonë janë sanksionuar me dënime maksimale, ndërsa kur janë në pyetje qytetarët maqedonas – sanksionimet i shqiptojnë minimale. “Kjo praktike gjyqësore është e rrënjosur në mentalitetin gjyqësorë të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Këtu lëndët e dyshuara dhe të montuara politikisht janë indikatorë i animit politik në gjyqësorin e RMV-së. Rasti për të dalë nga kjo situatë, Bashkimi Evropian e mendoi me krijimin e Prokurorisë Speciale. Fatkeqësisht, dështoi dhe kjo Prokurori para krimit dhe rriti viktimizimin. Bazuar në viktimizimin e shqiptarëve, ngelet që politika shqiptare të kërkojë për lëndët e montuara pjesëmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe në çdo trup gjykues mbi tre vite heqje lirie, të ketë Bandeter apo përfaqësues shqiptar”, deklaroi për KOHA, Bashkim Selmani, profesor universitar.
SHTATË TË ARRATISUR NGA DREJTËSIA PËR TRE VITE
Përveç të dënuarit për vdekjen e Martin Neshkovskit, Igor Spasov, nga drejtësia janë arratisur edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është i akuzuar dhe dënuar për disa vepra që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare. Të arratisurit e drejtësisë, të cilët kërkohen me fletëarrest, janë edhe Nikolla Vojminovski i akuzuar për “tentim vrasje” ndaj Ziadin Selës në ngjarjet e 27 prillit në Parlament. Për ngjarjen e dhunshme të 27 prillit, me fletëarrest ndërkombëtar kërkohet edhe Dejan Davidovski-Desho i arratisur në Suedi. Për autoritetet gjyqësore mbetën të pakapshëm edhe ish zyrtarët të DSK-së, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski, të cilët gjenden në Greqi. Nga vendi ka ikur edhe Volfgang Gamper, udhëheqësi i “Sekjurikom” nga Austria, i cili ishte akuzuar për tender të kurdisur për mirëmbajtjen e Qeverisë. (koha.mk)