Në 7 tetor 2018 në Indi bëri bujë një gol i shënuar nga një sulmues i panjohur, Gurav Mukhi. I lindur në 2002, bëhej fjalë për shënuesin më të ri në historinë e Super Ligës indiane. Për fat të keq, sulmuesi i Jamshedpur FC rezulton një mashtrim kolosal, nga ata për filma!
Mukhi është regjistruar në federatën indiane me moshën 16 vjeç, ndërsa debutoi në 7 tetor në nivelin më të lartë të futbollit indian, duke shënuar në minutën e 81-të, vetëm 10 minuta pasi kishte shënuar për herë të parë emrin e vet në historinë e kampionatit indian.
Tani, sa për sqarim, futbolli indian është në nivel më të ulët se kampionati shqiptar dhe kaq mjafton për të kuptuar çfarë bëhet atje. Më e keqja është se edhe federata indiane është në nivelin e kampionatit, një zero me xhufkë, dhe nuk e verifikoi fare moshën e një futbollisti që në fakt mjafton ta shohësh në fytyrë dhe duket qartë që mund t’i ketë nja 6 fëmijë e pakta.
Një muaj më vonë përralla mbaroi, dikush e zbuloi falsifikimin e sulmuesit, që në realitet ishte 28 vjeç! Federata indiane e ka pezulluar për 6 muaj dhe i ka hequr regjistrimin aktual, duke i kërkuar të regjistrohet nga e para.
Pyetja më e madhe në këtë histori është: po ky tipi, ku dreqin ishte gjithë këto vite, që debuton në moshën 28-vjeçare në futboll dhe nuk e njihte askush më parë? Bollywood!