Ankara, 17 janar – Kryeministri turk Binali Jilldirim sot e konfirmoi arrestimin e sulmuesit i cili e kreu sulmin e përgjakur për Vitin e Ri në klubin e natës “Reina” në Stamboll, transmetojnë mediat amerikane. Para gazetarëve në Ankara, Jilldirim deklaroi se personin për momentin po e marrin në pyetje në polici dhe shprehi shpresë se marrja në pyetje s’do t’i zbulojë “forcat”, të cilët qëndrojnë pas sulmit, në të cilin jetën e humbën 39 persona. Ndërkohë valia i Stambollit Vasip Sahin e konfirmoi identitetin e atentatorit – Abdulgadir Masharipov, i lindur në vitin 1983 në Uzbekistan. “Terroristi veçmë e pranoi krimin”, njofton Sahin. Djaloshi ka qenë i trajnuar në Afganistan, ka folur katër gjuhë dhe shenjat e gishtërinjve të tij janë përputhur me gjurmët e mbetura në vendin e sulmit, shtoi valia i Stambollit. Në operacionet për kërkimin e tij janë arrestuar gjithsej 50 persona. Në aksionin për arrestimin e tij policia ka arrestuar edhe një irakian dhe tre femra. Sipas Sahinit, atentatori në Turqi ka hyrë ilegalisht në janar të vitit 2016. Ai tha se gjatë këtij operacioni janë kontrolluar 7 mijë e 200 kamera. “Me ekipet speciale kanë qenë me detyrë 2 mijë policë. “Departamentet e inteligjencës së Stambollit dhe me qytetet Konya, Hatay, İzmir është kryer një operacion i përbashkët. Autori pasi ka marrë një shtëpi me qira në rajonin Başakşehir ka tentuar që të fshihet pasi dy ditë para ditës së sulmit ka ndërruar dy shtëpi. Ndërsa ditën e ngjarjes ai ka ardhur nga rajoni Zeytinburnu dhe ka kryer aktin e tij”, tha prefekti Sahin.