Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 maj – Paralelet më mësim në gjuhën shqipe në Veles, rrezikojnë të mbyllen nëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vazhdon me të njëjtën qasje ndaj problemit të tyre. Konkretisht, sipas profesorit të matematikës, Iljaz Memetit, situata në vend që të përmirësohet është përkeqësuar ende më shumë. “Jo vetëm që nuk janë siguruar profesorët e nevojshëm për nxënësit e paraleleve shqipe, por po u shuhet vullneti për ardhjen në punë edhe atyre profesorëve që udhëtojnë nga Shkupi, Buzallakova apo vende të tjera”, thotë Memeti, profesor i matematikës në Gjimnazin ““Koço Racin” të Velesit.
Memeti dhe një profesoreshë e gjuhës shqipe janë për momentin të vetmit profesorë shqiptarë me të cilët mbajnë mësim maturantët e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në Veles. Situata, pra ka mbetur njësoj me atë të para gjashtë muajve, kur në kuadër të angazhimeve për të siguruar kuadër shqiptarë, orët e matematikës me nxënësit e viteve III dhe IV iu dhanë profesor Memetit. “Në fakt, u bë vetëm sikurse po zgjidhet diçka, sepse problemi mbeti në vend. Orët e matematikës në paralelet e viteve të para dhe të dyta në gjuhën shqipe iu dhanë profesorit maqedonas”, tregon ai, Pra, nënvizon më tej, nëse deri para gjashtë muajve nuk kishin profesor shqiptarë për lëndën e matematikës nxënësit e viteve të treta dhe të katërta, tani nuk kanë profesorë nxënësit e viteve të para dhe të dyta. Profesorë shqiptarë mungojë edhe për nxënësit viteve të tjera, edhe pse jo aq sa për paralelen e vitit të katër. Ata, pra kanë profesorë për lëndët e kimisë, biologjisë, historisë dhe gjeografisë, lëndë këto të cilat nuk mësohen në vitin e katërt të gjimnazit drejtimi matematikor.
Në përgjithësi, gjendja me paralelet shqipe në Gjimnazin “Koco Racin” të Velesit, përshkruhet e rëndë. U harruan premtimet që u dhanë gjatë vizitës së ministri Pishtar Lutfiu, në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare. I shoqëruar nga bashkë-partiakë dhe disa prindër, në nëntor të 2016-ës u premtua se MASH do të ndërmerrte masa për të përmirësuar gjendjen. Por, ndodhi e kundërta. Nga muaji shkurt profesorëve shqiptarë u janë ndërprerë edhe pagesat për shpenzimet e rrugës. Kjo, po vë në pikëpyetje ende më të madhe ekzistimin e paraleleve shqipe nga shtatori i këtij viti, respektivisht nga viti i ardhshëm shkollor 2017/2018.
“Personalisht, nuk jam i sigurt nëse do të të punoj edhe më tej në këtë gjimnaz. S’ka përse të paguajë nga rroga ime shpenzimet e rrugës që të vij dhe të punoj këtu. Kështu që prej vitit të ardhshme shkollor, nuk besoj se do të jem edhe më tej profesor në Gjimnazin e Velesit”, deklaron Memeti.
Vitin shkollor 2016/2017 në paralelet shqipe të Velesit u regjistruan vetëm 22 nxënës e, që është edhe numri më i ulët i nxënësve të regjistruar ndonjëherë. Arsyet për këtë, sipas profesorëve duhen kërkuar ne demotivimin e prindërve dhe nxënësve. Njëjtë sikurse Memetit, këtë qëndrim mban edhe profesori i historisë Besnik Rameti. “Kur shohin se si gjithë këto vite nuk sigurohen profesorë për të gjitha lëndët, është shumë normale që edhe prindërit dhe nxënësit të mos kenë besim të regjistrohen këtu. Prandaj, pjesa më e madhe e nxënësve që kryejnë arsimin nëntëvjeçar regjistrohen ose në shkolla tjera të Velesit, në paralele maqedonase ose nëpër shkollat e qyteteve tjera ku ka paralele që funksionojnë në gjuhën shqipe”, pohon Rameti.
Lidhur me angazhimin e tij në të ardhmen, thotë se pavarësisht mospagesës së shpenzimeve të rrugës nga ana e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), do të vazhdojë të shkojë në Gjimnazin e Velesit dhe do të udhëtojë deri atje me shpenzimet e veta. “Unë personalisht kam mundësi ta bëjë edhe këtë sakrificë. Që të mos shuhen paralelet në gjuhën shqipe, jam në gjendje të udhëtojë deri atje edhe me shpenzimet e mija. Kemi punuar edhe pa para, kemi punuar me nga 6 mijë denarë në muaj, punojmë edhe sot e kësaj dite me pagesa jo të plota dhe do të vazhdoj të punojnë edhe më tej në paralelet Veles”, shprehet ai. Rameti dhe gjithë profesorët tjerë shqiptarë paguhen për pesë orë mësim në javë, ndërsa mbajnë nga 6, 7 apo 8 orë mësimi në javë.