MASH: Për reformat në arsim kemi hapur proces të gjerë konsultativ

Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është formuar një grup, i cili debaton për nevojën e ndryshimit të Ligjit për arsim të lartë, në të cilin krahas të tjerëve, është e kyçur edhe një përfaqësues i SASHK. Pjesëmarrja e tij në punën e deritanishme të komisionit është qenësore, e jo protokollare dhe e çmojmë kontributin dhe angazhimin e të gjithë anëtarëve, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e SASHK-së, kumtoi MASH pasi që sot kryetari i SASHK-së, Jakim Nedellkov deklaroi se me përbërjen e re të Ministrisë deri më tani kanë pasur vetëm një takim, i cili ka qenë protokollar.

MASH në shkrim thekson se ka hapur proces të gjerë konsultativ, në të cilin janë të kyçur përfaqësues të organizatave sindikale, plenumeve të arsimtarëve dhe profesorëve, plenumi i studentëve, organizatat civile dhe ekspertët të cilët punojnë në fushën e arsimit.

Lidhur me atë nëse reformat në arsim do të thonë edhe zvogëlim të numrit të kuadrit mësimor, MASH thekson se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin që e kanë pasur me përfaqësuesit e SASHK-së dhe me organizatat e tjera sindikale, plenume dhe organizata civile ku, thekson MASH, është treguar qartë se zvogëlimi i numrit të lëndëve nuk do të thotë edhe zvogëlim i numrit të kuadrit mësimor.