Ministria e Arsimit dhe Shkencës punon me përkushtim për të avancuar cilësinë e sistemit arsimor nacional në të gjitha nivelet, si të standardeve të nxënësve po ashtu edhe të studentëve, njoftoi MASH pas protestës së sotme në Tetovë të studentëve të disa universiteteve të pakënaqur nga gjendja në arsimin e lartë në Maqedoni.
“Në këtë kontekst, institucionet e sistemit janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha palët në proces, duke përfshirë edhe vetë studentët dhe nxënësit, të cilët janë pjesë e proceseve për krijimin e politikave rinore dhe ekonomike, krijimin e zgjidhjeve ligjore dhe pjesë e menaxhimit dhe vendimmarrjes në institucionet e sistemit”, njoftoi MASH.
Ministria shton se me vëmendje i ndjek kërkesat e studentëve që i paraqitën sot, në protestën e organizuar në Tetovë, edhe pse paraprakisht, siç thekson, ato nuk janë paraqitur në rrugë zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.