Ministria e Arsimit dhe Shkencës e kumtoi vendimin nga seanca e djeshme e Qeverisë se programi i Kembrixhit nuk do të implementohet nga shtatori i këtij viti në shkollat e mesme publike.
“Përcaktimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është arsim bashkëkohor dhe programe cilësore mësimore për përmirësimin e procesit edukativo-arsimor në vend. Vendosja e programeve të reja mësimore kërkon analizë dhe rishikim të proceseve, e jo vendime të përshpejtuara. Kjo mes tjerash, do të thotë edhe përgatitje e librave të cilat shfrytëzojnë terminologji adekuate, të cilat janë të qarta dhe të sakta dhe të cilat janë adekuate për sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë”, informon MASH.
Ministria thekson se vendimi që të shtyhet fillimi i programit të Kembrixhit në shkollat e mesme për vitin shkollor 2018/2019 është sjellë për shkak të kohës së shkurtër që të sigurohen ato standarde dhe për shkak të shmangies së situatave të padëshiruara në arsimin e mesëm. Me këtë vendim, thekson MASH, shtohet periudhë e arsyeshme kohore për debat dhe përgatitje të librave nga të cilat nxënësit e Maqedonisë do ta marri arsimin e merituar cilësor dhe botëror.