Laura PAPRANIKU
Shkup, 2 nëntor – Nga viti i kaluar deri tani, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka rritur për gati 8 për qind buxhetin e investimeve dhe shpenzimeve për të gjitha nivelet dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me sferën e arsimit, shkruan gazeta KOHA. Nga mbi 383 milionë euro sa ishte në 2016-ën, buxheti për të gjitha shpenzimet arsimore në Maqedoni, në vitin 2017 ky buxhet ka shkuar në mbi 414 milionë euro. Konkretisht, nga 383.216.000 euro (23.644.401.000 denarë) sa ishte buxheti i vitit 2016, këtë vit buxheti ka shkuar 414.516 000 euro (25.492.754.000 denarë), që do të thotë se ka një rritje prej 7.8 për qind.
Megjithatë jo të gjitha sektorët kanë pësuar dinamikën e njëjtë të rritjeve buxhetore, pasi me rritje më të madhe të krahasuara veç e veç, rezulton buxheti për arsimi parashkollor dhe fillor (mbi 62 për qind), buxheti për aktivitete të tjera arsimore (mbi 56 për qind) apo buxheti për shkollimin jashtë niveleve të rëndomta (rreth 50 për qind). Nga ana tjetër ka segmente ku rritja buxhetore është simbolike me nga 4 dhe 3 për qind sikurse është rasti me buxhetet për arsim të lartë, gjegjësisht buxheti për shërbime në mbështetje të arsimit. Mirëpo, të dhënat zyrtare të MASH-it për këtë çështje flasin se në trajektoren e shpenzimeve të planifikuara nga 2016-ta në 2017 janë shënuar edhe rënie të konsiderueshme. Në kontekst të kësaj duket se më i pësuari është hulumtimi dhe kërkimi shkencor. Ky është në të njëjtën kohë i vetmi aktivitet i MASH-it që ka pësuar rënie në vitin 2017, nëse e krahasojmë me një vit përpara. Nëse në 2016-ën, për hulumtime dhe kërkime shkencore MASH kishte planifikuar 8.855.000 euro (546.325.000 denarë), me buxhetin e 2017-ës për të njëjtin qëllim janë ndarë 8.352.000 euro (513.662.000 denarë). Pra ka një rënie prej minus 6 për qind. Sa i përket buxheteve të ndarë në tri nivel të shkollimit: parashkollor e fillor, të mesëm dhe lartë, shkruan KOHA, pjesën më të madhe të mjeteve e tërheq ky i fundit. Kështu, në 2017-ën buxheti për arsimin e lartë është tre-katërfish më i madh se buxhetet e dy niveleve paraprake. Do të thotë, nëse për arsimin e lartë kemi rreth 98.055.000 euro, për arsimin e mesëm ka 21.370.000 euro dhe për arsimin parashkollor dhe fillor 31.161.000 euro. Në të trija këta nivele buxhetet përkatëse kanë pësuar rritje prej 4.19 niveli i arsimit të lartë), 17.76 niveli i arsimit të mesëm dhe 65.2 për qind arsimi parashkollor dhe fillor. Buxhetet e “vogla”, pra ata të arsimit parashkollor dhe fillor (31.161.000 euro për vitin 2017), aktiviteteve tjera arsimore (4.164.000 euro) dhe shkollimit jashtë niveleve e konvencinale (471.000 euro) kanë në vetvete rritjen më të madhe. MASH është treguar “dorë lëshuar” në planifikimin e harxhimeve edhe me buxhetet për programe zhvillimore arsimore, apo për shërbime në mbështetje të arsimit për të cilat në vitin 2017-ën janë ndarë nga 11.079.000 (për dallim prej 8.506.000 në vitin 2016), si dhe 23.9864.000 euro (për dallim prej 232.072.000 euro në vitin 2016). Për të parën, pra për programe zhvillimore arsimore – ka një rritje prej 29.8 për qind, kurse për shërbime në mbështetje të arsimit ka rritje prej 3 për qind. Vetëm me hulumtimin dhe kërkimin shkencor, MASH është treguar dorë shtrënguar sa i përket planifikimit të shpenzimeve me buxhetin përkatës. (koha.mk)