Laura PAPRANIKU
Shkup, 29 shtator – Problemi i teksteve shkollore në Maqedoni nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e librave, cilësia e dobët e tyre, përmbajtjet skandaloze dhe shpesh herë nxitëse të urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare, shkruan gazeta KOHA. Në fakt, të gjitha këto probleme janë rezultat i një problemi esencial dhe që ka të bëjë me eliminimin e botuesve dhe autorëve shqiptarë nga procesi i hartimit të testeve shkollore, apo e thënë pak më ndryshe me vënien e tyre në pozita të pabarabarta nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Prandaj, ata kërkojë me ngulm që MASH të korrigjojë predispozitat ligjore, të cilat nuk lejojë konkurrimin me dorëshkrime në gjuhën shqipe.
Që një autor apo botues shqiptarë të mund të konkurrojë për botimin e një libri të caktuar, duhet që domosdo të paraqet në MASH dorëshkrimin e librit në gjuhën maqedonase. Dorëshkrimet në gjuhën shqipe, nuk janë valide, pasi Rregullorja përkatëse me të cilën MASH ka caktuar mënyrën e rregullave për botimin e teksteve shkollore përjashton çdo gjuhë tjetër jo maqedonase. Në Ligjin për botimin e teksteve shkollore nuk është e precizuar një gjë të tillë, por i lihen në dorë MASH-it që ta rregullojë këtë çështje përmes rregulloreve dhe formave tjera juridike. Dorëshkrimet, thotë për KOHA Adem Imeri, duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe. “E kemi biseduar këtë çështje edhe gjatë një takimi që kishim me ministren Renata Deskovska dhe kemi kërkuar prej saj që edhe kjo pikë të jetë pjesë e reformave që pritet të ndodhin së shpejti”, plotëson Imeri, kryetari i Shoqatës së Pedagogëve të Muzikës. Për të mënjanuar skandalin me librat e muzikës, para 6 viteve SHPM dorëzoi në Ministri variantin e një libri për lëndën e muzikës, me qëllim që i njëjti të shërbejë si dorëshkrim për botimin e librave të kësaj lënde. Mirëpo, gjithçka mbeti në nivelin e premtimeve të MASH-it për gjetjen e mundësive si të zgjidhte ky problem. Institucionalisht problemi është i pazgjidhur ende. Shkollat me vetë iniciativë përdorin librat e muzikës që ka përpiluar SHPM, por që nuk kanë një leje përdorimi të autorizuar nga MASH-i. Librat e kësaj të fundit nuk janë funksional, jo vetëm sepse injorojnë krejtësisht muzikën shqiptare, por edhe sepse poshtë pentagrameve të këngëve maqedonase qëndrojnë tekste të përkthyera në gjuhën shqipe, por që nuk korrespondojnë muzikalisht notat e këngës.
Një javë më parë, MASH ka formuar grupin punues për ndryshimin e Ligjit për tekstet shkollore, meqë ka ngritur iniciativë për përgatitjen e një Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit aktual. Do të rregullohet ose jo çështja e gjuhës në të cilën mund të jenë dorëshkrimet e teksteve shkollore, kjo varet nga anëtarët e grupit punues, veçanërisht ata shqiptarë. Pra, janë këta të fundit të cilët kanë rastin të kërkojnë nga MASH që çështja e dorëshkrimeve të rregullohet Ligj dhe të mos lejojnë që kjo të varret nga rregulloret dhe normat tjera juridike, respektivisht nga vullneti i politikës. Driton Ajrullai, nga Shtëpia Botuese “Albas”, thotë se rregullat e lojës aktualisht janë shumë të disfavorshme për botuesit shqiptarë. “Të konkurrosh me dorëshkrime në gjuhën maqedonase dhe pastaj t’i përkthesh të njëjtat në gjuhën shqip, nuk është problem i vogël. Përveç se ka koston financiare, libri humb në cilësi si në aspektin metodologjik, ashtu edhe përmbajtjesor, mbase humbën edhe më shumë”, sqaron përgjegjësi për botimin e teksteve në Maqedoni. Kjo, plotëson më tej ai, “i eliminon botuesit shqiptarë nga konkurrimi, pasi i ve në pozita të pabarabarta me botuesit maqedonas”. SHB ”Albas” vepron në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Preshevë dhe njihet për botimet cilësore të teksteve shkollore. Mirëpo, prej të gjitha këtyre vendeve ku operojnë, Ajrullai thotë se përvojat më të këqija i kanë me Maqedoninë. Këtu, sipas tij, nuk ka kushte të barabarta konkurrimi për të gjithë botuesit e teksteve shkollore. Në Preshevë, për shembull, Ministria e Arsimit të Serbisë për librat që përdoren nga nxënësit shqiptarë, e lejon konkurrimin me dorëshkrime në gjuhën shqipe. “Vetëm recensimet e dorëshkrimit kërkohen të bëhen në gjuhën shtetërore, pra në gjuhën serbe, thotë ai. Sipas përfaqësuesit të SHB “Albas”, Maqedonia shumë mirë mund ta ndjek shembullin e Serbisë. Por që të ndodh kjo, gjërat duhet të rregullohen me Ligj. (koha.mk)