Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi deklaroi se e pret përgjigjen nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) për propozimin që pagat në arsim të rriten për 10 për qind nga prilli i vitit 2020.
SASHK-ut kjo i ishte ofruar më 8 tetor në takimin në Qeveri mes kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit Ademi me liderin e SASHK-ut, Jakim Nedellkov. Sindikata kumtoi se do të përgjigjen pasi t’i marrin mendimet nga anëtarësimi përmes organizatave të tyre rajonale. Pritet që vendimi final të sillet në seancën e Këshillit të SASHK-ut këtë të premte.
“Pres nga SASHK-u përgjigje finale, e pastaj të ulemi bashkë, sepse vetëm me dialog do të arrijmë zgjidhje, ndërsa dialogu nuk mungon. Kemi dialog të shkëlqyer social. SASHK-u është një nga partnerët tanë më të mëdhenj – edhe gjatë krijimit të politikave dhe të reformave, dhe gjatë zbatimit të tyre. Do të jemi në komunikim dhe me dialog të arsyeshëm do të mund të gjejmë zgjidhje për cilëndo sfidë. Rritja nga prilli të cilën e propozoi Qeveria është miratuar edhe si informacion në seancë qeveritare. Ne kontribuuam për rritjen më të madhe historike deri më tani në veprimtarinë e arsimit”, deklaroi ministri Ademi sot, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve para takimit të grupit të punës për konceptin e arsimit inkluziv.
Në deklaratën e parë pas propozimit nga Qeveria, kryetari i SASHK-ut Nedellkov tha se sipas reagimeve fillestare, anëtarët nuk janë të kënaqur që rritja do të jetë 10, ndërsa jo 25 për qind siç kërkojnë ata. Vlerësojnë edhe se rritja duhet të jetë nga 1 janari, e jo nga prilli.
Në deklaratë për mediet ministri Ademi e komentoi edhe protestën e sotme prej një orëve të paralajmëruar nga studentë dhe profesorë nga Instituti për Kimi i Fakultetit Natyror-Matematikor, të cilët kërkojnë kushte më të mira për punë dhe punësimin e kuadrit të ri. Tha se për këtë Institut kanë dorëzuar kërkesë deri te Ministria e Financave për punësime të reja.
“Në vazhdimësi japim leje për institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi”. Nga ai Institut kemi pasur kërkesa dhe kemi dhënë leje. Bëhet fjalë për dy asistentë dhe tre laborantë dhe presim që Ministria e Financave pozitivisht të përgjigjet për kërkesën. Pajtohem se edhe kjo nuk mjafton dhe gjithmonë mundet të bëhet më mirë dhe më shumë. Shpresoj se sfidat e këtij karakteri do të tejkalohen gjithkund, jo vetëm në Institutin për Kimi, por në të gjitha njësitë universitare”, shtoi Ademi. (koha.mk)