Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 shkurt – As Ligji aktual për arsimin e mesëm dhe as Strategjia gjithëpërfshirëse arsimore për periudhën 2018-2015 nuk ofrojnë zgjidhje për inkorporimin e shkollave te mesme fetare në kuadër të sistemit arsimor, shkruan gazeta KOHA. Si Medreseja “Isa beu”, ashtu edhe Shkolla e mesme Ortodokse vazhdojnë të jenë nën ombrellën e bashkësive përkatëse fetare, pasi me gjithë paralajmërimet e para tre viteve për dhënien fund të këtij problemi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vazhdon qëndrojë indiferente ndaj këtyre shkollave. Problemi më i madh duket se është Medreseja, e cila është shumëfish më e madhe se Shkolla e Mesme Ortodokse, si për nga shtrirja, numri i nxënësve, kuadrit mësimdhënës dhe personelit administrativ-teknik. Të gjitha shpenzimet për funksionimin e Medresesë në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip i mbulon Bashkësia Fetare Islame (BFI) ashtu sikurse shpenzimet e shkollës së mesme ortodokse i mbulon Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM).
Në vitin 2015, kur ministër i Arsimit ishte Abdylaqim Ademi, u bën disa lëvizje institucionale në drejtim të ndryshimit të statusit juridik të shkollave fetare. Ish-ministri Ademi paralajmëronte inkorporimin e shkollave fetare në kuadër të sistemit të shkollave publike, evidentimin në Regjistrin e shkollave të mesme, me qëllim të eliminimit të shumë paradokseve që ka hapur në Maqedoni me lënia e atyre shkollave jashtë rrjetit të shkollave publike.
“Kemi situata kur nxënës që kanë kryer Medresenë nuk mund të regjistrohen në fakultete të caktuara të Universitetit ‘Kirili dhe Metodi’ në Shkup, meqë duke qenë jashtë atij Regjistri, nuk na njihen diplomat tona. Në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore, për shembull, nuk e kemi këtë problem, por kjo për shkak të vullnetit të mirë të tyre. Por ajo çfarë është më paradoksale është se shumë prej atyre që kryejnë në UT-në apo UEJL dhe që paraprakisht kanë qenë nxënës të Medresesë, magjistrojnë dhe doktorojnë në UKM. Pra është një tollovi në gjithë sistemin arsimor që kërkon zgjidhje institucionale”, pohon për KOHA, Ibrahim Idrizi, drejtor i Medresesë “Isa Beu”, me seli në fshatin Kondovë të Shkupit. Situata ka mbet e pandryshuar nga koha e ish-ministrit Ademi, kur u tregua një vullnet politik për inkorporimin e shkollave fetare në sistemin arsimor.
“Nuk e di për çfarë arsye, por situata ka mbetur në vend. Medreseja nuk është ende nën ombrellën e MASH-it. Ne ende jemi institucion në kompetenca të BFI-së. Po ashtu, edhe shkolla e mesme ortodokse në kompetencë të KOM-it”, sqaron Idrizi, ndërsa shpreson se Qeveria e kryeministrit Zaev do të gjejë vullnetin e nevojshëm për bërë pjesë të sistemit të arsimit publik edhe shkollat e mesme fetare. Në nenin 2 të Ligjit për arsim të lartë përmenden shkollat e mesme komunale, shkollat e mesme shtetërore dhe shkollat private si institucione në të cilat organizohet arsimi i nivelit të mesëm në Maqedoni, por jo edhe shkollat e mesme fetare. Mbetja e tyre jashtë ombrellës së MASH-it u mohon qindra nxënësve në vit të drejtën e dhënies së provimeve të maturës shtetërore, pasi në këtë proces kanë qasje vetëm shkollat e pranuara si të tilla nga MASH-i. Por pavarësisht kësaj, shkollat fetare janë një realitet në Maqedoni. Ato funksionojnë prej dekadash edhe atë me një interesim të shtuar të nxënësve që regjistrohen sidomos në Medresenë “Isa Beu”. Kjo e fundit, numëron rreth 820 nxënës aktiv në të gjitha shkollat, për vajza dhe djem që shtrihen në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip. Ka gjithashtu dhe konviktin e nxënësve, ndërsa posedon 150 të punësuar prej të cilëve 107 në mësimdhënie. Vitin që shkoi, ishin 180 nxënës, të cilët mbaruan shkollimin e mesëm fetar në këtë Medrese. (koha.mk)