MASH do të zgjedhë shkollën më të sigurt dhe më të pastër

Shkup, 16 janar  – Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli thirrje publike për zgjedhjen e “Shkollës më të sigurt dhe më të pastër”, ku mund të aplikojnë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në territorin e Republikës së Maqedonisë.

Shkollat të cilat do të aplikojnë duhet të jenë pjesë e “Integrimit të edukimit ekologjik në sistemin arsimor të Maqedonisë” (EKO shkollë) dhe të kenë marrë pjesë në të paktën tre projekte apo punëtori të cilat përfshijnë ndonjërën nga fushat: mjedis të shëndoshë dhe ekologjik, siguri, jodhunë, zgjidhje të konflikteve dhe përmbajte të njëjta.

Thirrja publike është publikuar në faqen e internetit të MASH-it (www.mon.gov.mk). Në të janë theksuar kriteret që duhet të plotësohen (mirëmbajtjen e ndërtesës dhe mjedis të brendshëm të shëndoshë, oborr të rregulluar dhe ekologjik), si dhe mënyrën e aplikimit.

Aplikimet mund të dorëzohen më së voni deri më 30 mars të vitit 2018 deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në adresë: rruga “Sv Kiril dhe Metodij” nr. 54, 1000 Shkup.

Për zgjedhjen e “Shkollës më të sigurt dhe më të pastër” MASH do të formojë komision i cili do të kryejë inspektim në shkollë, ndërsa javën e fundit nga maj i vitit 2018 do të ndajë certifikata për tri shkolla fillore dhe tri të mesme si më të sigurta dhe shkolla më të pastra.