Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 shkurt – Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit do të vizitojnë së shpejti fshatin Kllukovec të Velesit për të parë nga afër gjendjen e tmerrësisht të rëndë të shkollës, për çka edhe mbajnë të bojkotuar prej tre javë mësimin në atë shkollë, shkruan gazeta KOHA.
“Objekti i rrënuar thuajse tërësisht nuk ofron as kushte minimale për shkollim dhe për këtë arsye nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të shkollohen në këto kushte të mjerueshme”, thotë Rasim Shemsedini, përfaqësues i Këshillit të prindërve të shkollës periferike “Vasil Gllavinov” në fshatin Kllukovec. Është e habitshme, nënvizon ai, se si në shumë shkolla ku mësohen në gjuhën maqedonase objektet janë sipas standardeve evropiane, ndërsa shkolla ku duhet të mësojnë fëmijët tanë është katandisur në gjendje jashtëzakonisht të vështirë, me mure të mykura, tavane që do të rrëzohen nga çasti në çast dhe pa asnjë shenjë që mund të asociojë në shkollë. Kjo, plotëson më tej Shemsedini, ishte arsyeja që erdhëm të takohemi me ministrin dhe të kërkojmë prej tij të intervenojë për përmirësimin e kushteve në të cilat duhet të shkollohen fëmijët tanë.
Ministri Lutfiu, nga ana e tij tha se është i shqetësuar për problemin e rreth 50 nxënësve të fshatit Kllukovec dhe se ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Velesit për të parë se çfarë mund të bëhet në drejtim të përmirësimit të situatës. “Sigurisht, që ne si MASH jemi të shqetësuar për gjendjen në të cilën ka arritur shkolla. Fillimisht i diskutuam të gjitha alternativat, i dëgjuam të gjitha hallet e Këshillit të prindërve por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me bojkotimin e mësimit, sepse ata që humbin më së shumti janë nxënësit”, thotë Lutfiu.
Në përpjekje të zgjidhjes së problemit sikurse shpjegon ai, është rënë daktil që prindërit të ndërpresin bojkotin dhe në ndërkohë do të dërgojmë atje një grup pune nga MASH për të parë dhe për të vërtetuar gjendjen e asaj shkolle. Ministri Lutfiu deklaron për gazetën KOHA se pasi të bëhet raportit përkatës i grupit të punës, MASH do të marrë edhe masat konkrete. Do të thotë nëse ka vend për rikonstruim MASH do të përgatitën projektin dhe do të rikonstruon shkollë, por nëse “nuk ia vlen barra qiranë” do të përgatisim një projekt për ndërtimin e një objekti të ri, sqaron ministri. Sipas tij, MASH mund të përballojë investime modeste për shkolla me numër të vogël nxënësish, sikurse është rasti i fshatit Kllukovec me 300 banorë dhe rreth 50 nxënës, që aktualisht mësojnë në katër paralele të përziera.
Nga Këshilli i prindërve, duan të besojnë se MASH do t’i qaset me seriozitet problemit të tyre. “Na u premtua se deri në vitin 2018 nxënësit do të kenë objekt të ri dhe se në të njëjtën kohë MASH do të sigurojë zgjidhjen e përkohshme. Do ti vendosin nxënësit në ndonjë objekt tjetër, do ta rikonstruojnë shkollë apo do të gjejnë ndonjë zgjidhje tjetër ky është problemi i Ministrisë”, deklaron Shemsedini nga Këshilli i prindërve të shkollës periferike “Vasil Gllavinov” në fshatin Kllokovec të Velesit. Prindërve u është premtuar gjithashtu edhe sigurimi i një mësimdhënësi të ri nga viti shkollor 2017/2018. Pra, nga dy mësimdhënës pritet që numri i tyre të shkojë në tre.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.