MASH APELON TË DENONCOHEN ABUZUESIT: Mësoni nga tabletat, mos përdorni libra

18

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës kërkon që rastet të denoncohen dhe prindërit të mos lejojnë përdorimin e materiale të shtypura, në formën e librit apo materialit të fotokopjuar. Carovska ka potencuar se çdo prind që tenton t’i imponojë një libër e dëmton nxënësin, nuk i bën mirë, pasi përdorimi i librit digjital është bërë enkas, që t’i mësojmë fëmijëve se pajisjet elektronike nuk janë për të luajtur, por janë vende për të mësuar dhe marrë njohuri

Evis HALILI

Shkup, 8 tetor – Nëse shitja e kompleteve të librave për nxënësit e klasave të katërta, që këtë vit duhet të ishin vetëm në versionin digjital është prezente në librari të caktuara, ministrja e Arsimit dhe Shkencës kërkon që rastet të denoncohen dhe prindërit të mos lejojnë përdorimin e materiale të shtypura, në formën e librit apo materialit të fotokopjuar. Byroja e Zhvillimit të Arsimit nuk ka miratuar asnjë subjekt për të shtypur libra dhe për këtë arsye Carovska ka kërkuar që të denoncohen këto raste, ashtu si edhe në rastet e mëparshme. Sa i takon tregtimit të librave të shtypur, sipas MASH inspektorët e arsimit janë vazhdimisht në terren për të kontrolluar rastet abuzive.

“Librat janë falas në dispozicion në bibliotekën elektronike dhe duhet të shfrytëzohen vetëm në versionin digjital, që është edhe në interes të nxënësve dhe procesit dhe edukimin e tyre digjital, pasi përmbajtjet e tyre shoqërohen nga multimedial dhe kuize, të cilat nuk mund të gjenden në versionin e shtypur. Çdo prind që tenton t’i imponojë një libër e dëmton nxënësin, nuk i bën mirë, pasi përdorimi i librit digjital është bërë enkas, që t’i mësojmë fëmijëve se pajisjet elektronike nuk janë për të luajtur , por janë vende për të mësuar dhe marrë njohuri”, ka deklaruar Carovska. Deri tani MASH ka siguruar për këtë vit shkollor vetëm 20 për qind nga tirazhi i nevojshëm i librave të shtypur të cilat janë shpërndarë nëpër shkollat në zona problematike, ku mungon energjia elektrike nëpër shtëpi, ndërsa për pjesën tjetër deri tani MASH ka furnizuar shkollat me 3500 tabletë dhe pajisje të tjera, ndërsa komunat kanë në dispozicion 6.500 pajisje të tjera elektronike, nga gjithsej 10 mijë të siguruara në total.

“Që nënkupton se çdo nxënës ka akses tek një pajisje digjitale, përveç atyre që s’kanë energji elektrike”, ka thënë ministrja, e cila u shpreh u kënaqur me mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor dhe gatishmërinë e shkollave dhe stafit mësimdhënës për të zbatuar reformat, ndërsa sa i takon pakënaqësive sipas saj janë artificiale dhe janë në dëm të arsimit dhe nxënësve. Deklaratat e ministres janë bërë gjatë një konference për avancimin e edukimit financiar të nxënësve të shkollave të mesme dhe profesionale. Sa i takon situatës shëndetësore nëpër shkolla MASH siguron se është stabile, shifrat numërojnë 0,01 për qind të infektuar të rinj në mësimin me prezencë fizike, ndërsa rastet aktive janë 0,27 për qind. Poashtu janë testuar për KOVID-19 edhe 8200 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. (koha.mk)