“Masat janë ekzagjeruar deri në atë pikë sa njerëzit kanë filluar të vdesin nga sëmundje të tjera, sepse nuk kanë pasur kujdes shëndetësor për muaj të tërë. I tërë sistemi shëndetësor është përqendruar në infektimet nga koronavirusi i ri, por kjo nuk do të thotë që të injorohen shumë sëmundje tjera serioze për shëndetin e qytetarëve”, thotë dr. Panovski
Zenel MIFTARI
Shkup, 10 gusht – Respektimi i masave për mbrojtje nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 dhe jo rikthimi i masave kufizuese, është mënyra e vetme për përballje me pandeminë, por edhe normalizimin e sistemit shëndetësor, thonë specialistët e fushës së mjekësisë, si dhe ekspertë të sferave tjera duke folur për rritjen e infektimeve dhe debatet nëse do të ketë ose jo rikthim të masave kufizuese.
Sipas mjekut mikrobiolog, Nikolla Panovski, sistemi shëndetësor duhet të normalizohet dhe të nisin të trajtohen edhe sëmundjet tjera, pasi, aktualisht e gjithë vëmendja është përqendruar te COVID-19. “Masat janë ekzagjeruar deri në atë pikë sa njerëzit kanë filluar të vdesin nga sëmundje të tjera, sepse nuk kanë pasur kujdes shëndetësor për muaj të tërë. I tërë sistemi shëndetësor është përqendruar në infektimet nga koronavirusi i ri, por kjo nuk do të thotë që të injorohen shumë sëmundje tjera serioze për shëndetin e qytetarëve”, thotë Panovski për REL. Ai beson se në vjeshtë, edhe nëse nuk do të ketë shtim të rasteve të reja me koronavirus, situata do të jetë e komplikuar për shkak të infeksioneve virusale që do të ngatërrohen, sepse do të ketë edhe shumë raste tjera simptomatike të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe disa prej tyre, siç thotë ai, do të jenë ftohjet, gripi, por dhe disa viruse krejtësisht të treta. E gjithë kjo, sipas tij, do ta rëndojë sistemin me teste.
“Unë mendoj se nuk do të ketë kufizime të mëdha, përveç një ndonjë ore policore, sepse ekonomia nuk mund t’u rezistojë kufizimeve të reja. Ndoshta shkollat nuk do të funksionojnë, mbase do të mbyllen edhe restorantet, baret, klubet e fitnesit, do të mbyllen përsëri, por nuk besoj se do të merren masa më të rrepta, pasi do të përkeqësonin edhe më shumë gjendjen ekonomike”, shprehet Panovski. Ndërkohë, ekspertët e fushës ekonomike dhe sociale, thonë se rikthimi eventual i masave kufizuese në vjeshtë apo edhe më herët, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, nuk do të sjellë asgjë pozitive, përkundrazi do të rëndojë edhe më shumë gjendjen në sferat tjera që tani disa muaj thuajse janë harruar.
Ekonomisti Sami Bislimi, për gazetën KOHA është shprehur ekonomia e Maqedonisë së Veriut, po ballafaqohet me recesion të thellë ekonomik. “Në një gjendje të tillë, implikacionet negative shprehen drejtpërdrejt në zvogëlimin e ofertës të produkteve të vendit, zvogëlimin e të ardhurave, zvogëlimin e të hyrave buxhetore, zvogëlimin e kërkesës agregate dhe e gjithë kjo do të reflektohet në përkeqësimin e gjendjes ekonomiko financiare të vendit”, tha Bislimi, ndërsa shton se pasojat e virusit korona, ekonomia e vendit nuk ka do të ketë kapacitet t’i përballojë. Prandaj, siç tha ai, vendi do të jetë i detyruar të bëjë huazime plotësuese nga institucionet financiare, me qëllim që t’i zbut pasojat e shkaktuara të virusit korona dhe masave të marra me qëllim të mos përhapjes së tij. “Një valë e re e virusit korona në vjeshtë që do të çonte deri në mbylljen e tërësishme të vendit, do ta sjelle ekonomin e RMV-së, në gjendje jo funksionaliteti me pasoja të pariparueshme, ku do të ballafaqohemi me kolaps ekonomik dhe social”, deklaroi Bislimi. Ai deklaroi se Qeveria e ardhshme duhet që t’i mbështesë qytetarët përmes pakove ekonomike, me qëllim që qytetarët ta kenë më lehtë përballimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19. Institucionet shëndetësore kanë thënë se kapacitetet mjekësore me sukses po përballen sëmundjen COVID-19 dhe se për momentin nuk ka nevojë për masa shtesë, por në rast të përkeqësimit të gjendjes nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të disa prej masave kufizuese, pa saktësuar nëse me këtë nënkuptohet vendosja e serishme e orës policore, apo e ndalimit të plotë të lëvizjes, siç ishte praktikuar në muajt prill dhe maj.