Masat që organet e pushtetit i ndërmorën menjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit në Tetovë, ku një pjesë e madhe e inteligjencës shqiptare u burgos, shqetësoi opinionin e gjerë shqiptar në Jugosllavi. Në një takim që Fadil Hoxha pati në Beograd me Kërste Cërvenkovskin dhe Kiro Gligorovin, shprehi pakënaqësinë rreth kursit shumë të ashpër, që udhëheqja politike maqedonase kishte marrë kundër pjesëmarrësve dhe organizatorëve të demonstratave në Tetovë
Nga Qerim LITA
(vazhdon nga numri i kaluar)
Në debatin e zhvilluar, menjëherë pasi u lexua raporti, u paraqitën mendime të ndryshme, rreth masave të ndërmarra si nga ana e organizatave politike, po ashtu edhe nga organet policore, ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave në Tetovë. Sipas, Sllavko Millosavlevskit: “zërat që ditëve të fundit po dëgjohen se gjoja organet shtetërore kanë qenë shumë të rrepta, tepër frontale në luftën kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave nuk qëndrojnë”, sepse siç vuri në dukje “organet shtetërore, në radhë të parë organet e sigurimit veprojnë në pajtim me rolin, të drejtën dhe përgjegjësin e tyre”. “Në të kundërtën “, vazhdoi Millosavlevski “nëse ata kishin një paraqitje të kundërt, e cila do të lente zbrazëtirë në përgatitjen tonë që me të gjitha mjetet ta mbrojmë integritetin e bashkësisë sonë, në kuadër të veprimtarisë së tillë të organeve të sigurimit do të krijoheshin iluzione te një pjesë e elementeve të pazbuluara nacionaliste dhe kjo do të krijonte një tension të ri që do ti zvogëlonte mundësit tona deri në fund ti kryejmë punët tona dhe në këtë mënyrë me ta të ballafaqohemi…”..
Në debat do të kyçen edhe anëtarët shqiptarë në KQ të LKM-së, të cilët në tërësi i mbështesin vlerësimet dhe konkluzionet e marra nga organizatat shoqërore-politike në Republikë, për ngjarjet e Tetovës, si dhe të masave represive që u ndërmorën nga organet për të brendshme për shuarjen e tyre. Anëtari i KQ të LKM-së, Meti Kërliu, në fjalimin e tij shprehet: “Unë nuk mund të largohem nga përshtypja dhe mendimi se nëse me të vërtetë duam ti përcjellim këto dukuri të kombësisë shqiptare të mos mundemi të gjejmë një vazhdimësi historike nëse kthehemi më mbrapa. Ne e dimë se edhe në kohën e okupacionit kur qe siguruar një progres armiku gjithmonë atëherë dilte në skenë dhe manifestonte. Në rastin konkret të analizave të këtyre dukurive edhe në teren ndikonte veprimtaria e bandave balliste.”.. Më pas, Kërliu, ndalet në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, duke e përshkruar veprimtarinë politike të organizatës së “NDSH-së”, e që sipas vlerësimit të tij, demonstratat e Tetovës, ishin vazhdimësi të politikës siç thekson “armiqësore të asaj organizate”, e cila “të njëjtin flamur donte ta ngrejë, për ta penguar bashkimin e popujve tanë. Kjo për armikun ishte një sinjal për veprim”.. “Prandaj – vazhdon Kërliu – përgjigjja edhe e kësaj veprimtarie në Tetovë, madje kudo qoftë si dhe në cilën kohë të paraqitet kjo, ajo vjen nga një qendër, kur i hapëm shtigjet e jetës shoqërore, demokracisë, kur u sqaruan shumë çështje edhe lidhur me flamurin dhe pikërisht kjo ishte sinjali i elementeve armiqësore, qoftë në simbolin e flamurit, ose tjetër, ose kur kombësia shqiptare kori rezultate të dukshme dhe kur u krijua inteligjenca shqiptare, kur njeriu punëtor tërësisht u çlirua, tërësisht vetëqeverisë pikërisht në atë moment u paraqiten elemente të ndryshme armiqësore.. etj”..
Në anën tjetër, Sadik Sadiku, ishte i mendimit, se “për një dukuri të tillë”, krahas “elementeve reaksionare” janë edhe disa faktorë tjerë, në radhë të parë “Flaka”, e cila sipas tij “duke i mohuar rezultatet pozitive dhe duke i theksuar vetëm çështjet negative, ndikoi që në Pollog të elektrizohet klima politike”. Lidhur me këtë, ai shprehi bindjen e tij se “pas Flakës qëndronin njerëz të caktuar nga kombësia shqiptare, madje edhe nga politika zyrtare..”.. Në fund të debatit, KQ i LKM-së, i mbështeti në tërësi vlerësimet dhe konkluzionet e konferencës së LKM-së në Tetovë, si dhe solli konkluzione shtesë, përmes së cilave ngarkohej Kryesia dhe Sekretariati i KQ të LKM-së, për aktivitetin e mëtutjeshëm politik e organizativ, me qëllim të realizimit të politikës së “barazisë nacionale” të përcaktuara në Konkluzionet e mbledhjes së XIV të KQ të LKM-së si dhe Rezolutës së Kongresit të Pestë të LKM-së.
Ashtu sikur qe paralajmëruar, organet e punëve të brendshme menjëherë pas qetësimit të situatës, ndërmorën një aksion të gjerë me ç’rast arrestuan një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve në demonstrata, shumica prej tyre intelektual. Në vështrimin e Sekretariatit Republikan për punë të Brendshme, dërguar Kërste Cërvenkovskit, thuhet se organet e këtij sekretariati, me rastin e demonstratave të Tetovës, ka ndërmarrë masa represive “kundër 153 qytetarë të kombësisë shqiptare”, prej të cilëve “46 ishin punëtorë të arsimit, 34 studentë, 11 nxënës, 27 punëtorë, 10 bujq etj..”. Më tej në dokument thuhet se 32 prej tyre “janë organizatorët dhe nxitësit e drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrësit më aktiv në demonstrata, kundër të cilëve zhvillohet procedurë penale”. Më tej në informatë thuhej: “struktura e personave kundër të cilëve zhvillohet procedurë penale është si vijon: punëtorë të arsimit 13, mjekë 2, studentë 3, punëtorë 7, zejtarë 2, nëpunës 2 dhe 3 nxënës”.
Masa represive nga organet e punëve të brendshme u ndërmorën edhe në komunat tjera ku jetonin shqiptarët, si në Shkup, Strugë, Dibër, Kumanovë, Gostivar etj. Më 31 janar 1969, KK i LKM-së – Gostivar, njoftonte se menjëherë pas ngjarjeve të Kosovës e të Tetovës, organe e punëve të brendshme në këtë komunë kanë ndërmarrë një sërë masash represive, për shkak veprimtarisë “armiqësore”. Si rezultat i këtij aktiviteti, thuhej në vazhdim të informatës: “…9 persona gjenden në burgun e hetuesisë, 24 personave ju është shqiptuar padi penale, ndaj 18 personave është shqiptuar padi për kundërvajtje për shkak cënimit të rendit e qetësisë dhe mbi pesëdhjetë persona janë ftuar në bisedë informative nga Dhoma e punëve të brendshme…”.
Sipas një dokumenti i hartuar në prill të vitit 1970 nga KQ të LKM-së, thuhej se vetëm nga territori komunës së Tetovës, 73 vetë ishin dënuar nga gjykata për kundërvajtje dhe njëkohësisht larguar nga puna, ndërsa 31 të tjerë ishin dënuar nga Gjykata e Qarkut në Shkup, me burg të rënd në kohëzgjatje prej 1 deri 7 vjet, për vepër penale “veprimtari armiqësore kundër shtetit e popullit”, të paraparë në nenet 117, 118 dhe 119 të Ligjit të atëhershëm Penal të RSM. Në vazhdim dokumenti ofronte të dhënat konkrete për 60 të dënuarit politik shqiptarë, me rastin e demonstratave të sipërpërmendura. Është e rëndësishme të vihen në dukje se, shumica e të burgosurve ishin nga Tetova, Gostivari, mirëpo nuk ishte numri i vogël edhe i atyre nga Shkupi.
Për të pas një pasqyrë më të saktë rreth numrit të dënuarve për vepër penale, gjatë demonstratave të vitit 1968, po i referohem, Analizës së hartuar në mars të vitit 1988 nga Sekretariati Republikan për Jurispodencë të Qeverisë së RS të Maqedonisë, në të cilën thuhej se në vitin 1969, për shkak “kryerjes së veprimtarisë nacionaliste e separatiste” me vendim të plotfuqishëm “janë dënuar 59 persona”. Numri aq i madh i personave të dënuar, sipas analizës ishte për shkak “veprimtarisë së organizuar shumëvjeçare të kryerësve të këtyre veprave penale, që manifestohej edhe nëpërmjet paraqitjeve publike dhe demonstratave të organizuara..”. .
PËRFUNDIM
Masat që organet e pushtetit i ndërmorën menjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit në Tetovë, ku një pjesë e madhe e inteligjencës shqiptare u burgos, shqetësoi opinionin e gjerë shqiptar në Jugosllavi. Në një takim që Fadil Hoxha pati në Beograd me Kërste Cërvenkovskin dhe Kiro Gligorovin, shprehi pakënaqësinë rreth kursit shumë të ashpër, që udhëheqja politike maqedonase kishte marrë kundër pjesëmarrësve dhe organizatorëve të demonstratave në Tetovë. Një shqetësim i tillë, sipas Cërvenkovskit ishte i arsyeshëm, sepse siç vë në dukje ai në kujtimet e tij: “demonstratat në Kosovë qenë vlerësuar në mënyrë shumë të butë” dhe se: “shumë pak njerëz qenë arrestuar dhe shumica e tyre u dënuan për vepër penale”. Ndërkohë në Maqedoni “policia i burgosi shqiptarët (kryesisht punëtor të arsimit) jo vetëm në Tetovë, por në mbarë Maqedoninë Perëndimore”. Cërvenkovski si shembull e merr dënimin me tetë vjet burg të shkrimtarit shqiptar Mehmetali Hoxhën vetëm për shkak “zënkës dhe sharjes reciproke të nënës maqedonase, përkatësisht nënës shqiptare në gjendje të dehur midis tij dhe shkrimtarit Sllavko Janevski…”.
Pa marrë parasysh politikës represive të udhëheqjes maqedonase ndaj inteligjencës shqiptare, efektet e demonstratave të Tetovës ishin jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse nga janari i vitit 1969, filloi hartimi i Platformës politike për problemin shqiptar në Jugosllavi, veçmas atë të Kosovës, e cila me ndryshimet e reja kushtetuese duhej të fitoj një autonomi të lartë.
Udhëheqja politike kosovare, duke u thirrur në pakënaqësinë e inteligjencës dhe të masave të shprehura në demonstrata, insistonte që Kosova të fitoj një autonomi të plotë, e cila do ti “kishte të gjitha autorizimet si republikat”, por se emri të ngelet Krahinë, që “akti më i lartë i i saj të mos quhet statut, por Kushtetutë”, që vendimet e Kuvendit të Kosovës, të quhen “akte ligjore”, që gjuha shqipe të shpallet gjuhë zyrtare në Kosovë etj.
Ndërkohë, edhe udhëheqja politike maqedonase ndërmori disa veprime konkrete që do të mundësonin avancimin e statusit të shqiptarëve. Në janar të vitit 1969, Komisioni pranë KQ të LKM-së për marrëdhënie ndërrepublikane, kombeve e kombësive, hartoi Programin e punës i cili ishte i ndarë në katër grupe të problemeve që kërkohej zgjidhje urgjente. Grupi i tretë i problemeve i kushtohej “realizimit të politikës të barazisë të kombësive” në RSM, që ndahej në dhjetë pika të veçanta.
Më 31 janar të të njëjtit vit, Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë, solli 10 amendamente, përkatësisht nga numri rendor V deri XIV, të cilët u bënë pjesë përbërëse të Kushtetutës së vitit 1963. Në mesin e amendamenteve që u miratuan nga Kuvendi, gjithsesi se më i rëndësishëm për shqiptarët ishte amendamenti nr. XIV, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë:
“1. Në territoret ku jetojnë pjesëtarët e kombësive, në jetën publike e shoqërore, gjuha dhe shkrimi i kombësive është i barabartë me gjuhën maqedonase. Në komunat në territoret e të cilave jetojnë pjesëtarët e kombësive, vendimet dhe aktet tjera më të rëndësishme të kuvendeve komunale dhe të organizatave punuese shpallen edhe në gjuhët e kombësive. Mbishkrimet publike në këto territore janë edhe në gjuhët e kombësive. Bashkësitë shoqëroro-politike kujdesen për zhvillimin e arsimit, shtypit, radios, televizionit dhe të veprimtarisë kulturor-arsimore në gjuhët e kombësive.
- Pjesëtarët e kombësive, në përputhje me ligj, kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre gjatë realizimit të të drejtave dhe obligimeve të tyre, si dhe gjatë procedurës pranë organeve dhe organizatave shtetërore që kryejnë shërbime publike.
- Me ligj dhe me statut të komunës përcaktohen më për së afërmi kushtet dhe procedurat që sigurojnë realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të kombësive, si dhe mënyrën dhe kushtet për implementimin e barazisë së gjuhës dhe shkrimit të kombësive me gjuhën maqedonase, në territoret ku jetojnë kombësitë. Me akt të përgjithshëm të organizatave punuese e të tjera rregullohet mënyra dhe kushtet e implementimit të barazisë të gjuhëve dhe të shkrimeve të kombësive me gjuhën maqedonase, në viset ku jetojnë kombësitë.
- Me këtë amendament zëvendësohen dispozitat e nenit 75 të Kushtetutës”. (fund)